Pensionet nga Austria dhe Turqia, Kosova nis procedurat për marrëveshje të reja
Qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Austri dhe Turqi pritet të përfitojnë nga marrëveshjet e reja për sigurimet sociale, të cilat do të mundësojnë njohjen e ndërsjellë të kontributeve dhe bashkimin e periudhave të punës për realizimin e të drejtës së pensionit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën, më 14 tetor 2026, dy propozimvendime për marrjen e autorizimit nga presidentja e Republikës për nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e sigurimeve sociale me Austrinë dhe Turqinë.
Marrëveshjet pritet të nënshkruhen nga ministri i Punës, Andin Hoti, ndërsa synojnë krijimin e një baze të re ligjore për rregullimin e të drejtave pensionale të qytetarëve që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute në këto shtete.
Urgjent Inc.
shitet
Sipas ministrit Hoti, qëllimi është që periudhat e sigurimeve sociale të njihen në mënyrë të ndërsjellë, në mënyrë që qytetarët të mos humbasin të drejtat pensionale për shkak se kanë punuar në vende të ndryshme.
“Qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një baze të re ligjore për të rregulluar marrëdhëniet në fushën e sigurimeve sociale, e cila u siguron qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve sociale për përfitimin e pensioneve”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se marrëveshja me Austrinë do t’u mundësojë qytetarëve që kanë punuar për periudha të gjata në këtë shtet të realizojnë të drejtat e tyre pensionale edhe nëse jetojnë në Kosovë.
“Qytetarët që kanë punuar për një kohë të gjatë në Republikën e Austrisë do të kenë të drejtë të marrin pensionet në Kosovë dhe anasjelltas, kudo që ata jetojnë”, ka thënë ministri.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm është mundësia e bashkimit të periudhave të kontributeve të paguara në Kosovë dhe në shtetet përkatëse, për të përmbushur kushtet ligjore për pension.
Kjo do të thotë se qytetarët që kanë punuar për disa vite në Kosovë dhe për disa vite të tjera në Austri apo Turqi do të mund të kërkojnë njohjen e këtyre periudhave sipas kushteve që do të përcaktohen në marrëveshjet përkatëse.
Njohja e periudhave të sigurimit nuk nënkupton domosdoshmërisht bashkimin e shumave të kontributeve në një fond të vetëm, pasi mënyra e llogaritjes dhe pagesës së pensioneve do të përcaktohet nga dispozitat e marrëveshjeve dhe legjislacioni përkatës.
Vendimi i Qeverisë përbën një hap drejt nënshkrimit të marrëveshjeve, por ato ende duhet të përfundojnë procedurat e nevojshme për të hyrë në fuqi.
Në mbledhjen e Qeverisë nuk janë bërë të ditura datat e nënshkrimit, afatet e hyrjes në fuqi apo procedurat konkrete që do të duhet të ndjekin qytetarët për realizimin e të drejtave pensionale. /Urgjent.com/