You dont have javascript enabled! Please enable it! Kroaci: Prej Qershorit 2027 ja çka do të kërkohet nga Mërgimtarët

Kroaci: Prej Qershorit 2027 ja çka do të kërkohet nga Mërgimtarët

Kroaci, nga qershori 2027 kërkohet testi i gjuhës për vazhdimin e lejes së punës

Për çka bëhet fjalë

• Detyrimi përfshin gjithashtu punëtorët që kanë leje të lëshuara për rindërtimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmetet, sipas kategorisë së…

• Megjithatë, testi nuk kërkohet menjëherë nga çdo person që shkon për herë të parë në Kroaci për të punuar.

• Nga ana tjetër, një shtetas i Kosovës që shkon për të punuar sezonalisht, me leje përkatëse sezonale, nuk do të…

Ky detyrim është pjesë e ndryshimeve të miratuara në Ligjin për të Huajt dhe zbatohet për punëtorët që kanë qëndruar dhe punuar të paktën një vit në Kroaci, me leje të lëshuara mbi bazën e mendimit të Entit Kroat të Punësimit (HZZ).

Në praktikë, rregulli prek një pjesë të madhe të punëtorëve të huaj të punësuar në kompani kroate, përfshirë ata që punojnë në ndërtimtari, fabrika, transport, magazina, pastrim, hoteleri dhe sektorë të tjerë me punësim afatgjatë.

Për shembull, një shtetas i Kosovës që punon në një kompani ndërtimi në Kroaci, ka qëndruar atje për më shumë se një vit dhe ka leje qëndrimi dhe pune të lëshuar mbi bazën e miratimit të HZZ-së, do të duhet të paraqesë dëshminë e njohjes së gjuhës kroate kur të aplikojë për vazhdimin e lejes pas hyrjes në zbatim të rregullit.

Detyrimi përfshin gjithashtu punëtorët që kanë leje të lëshuara për rindërtimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmetet, sipas kategorisë së përcaktuar në ligj.

Megjithatë, testi nuk kërkohet menjëherë nga çdo person që shkon për herë të parë në Kroaci për të punuar. Për punëtorët që përfshihen nga ky rregull, ligji parasheh një periudhë deri në një vit qëndrimi për të dëshmuar njohjen e gjuhës.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Kroacisë, afati i qëndrimit llogaritet nga hyrja e parë e shtetasit të huaj në vend.

Provimi do të jetë në nivelin fillestar A1.1 dhe do të përfshijë njohjen bazë të gjuhës kroate dhe shkrimit latin.

Punëtorët që kanë përfunduar një kurs të autorizuar të gjuhës kroate, të paktën në nivelin A1.1, mund ta përdorin certifikatën e përfundimit të kursit si dëshmi, nëse ajo është lëshuar nga një institucion i autorizuar.

Një detaj i rëndësishëm është se shpenzimet e provimit duhet t’i mbulojë punëdhënësi, jo punëtori. Ligji parasheh edhe disa përjashtime. Punëtorët sezonalë, për shembull ata që shkojnë në Kroaci për punë sezonale gjatë verës, nuk i nënshtrohen këtij detyrimi nëse janë të punësuar me leje për punë sezonale.

Nga provimi përjashtohen gjithashtu shtetasit e vendeve të treta që kanë përfunduar shkollimin fillor, të mesëm ose universitar në Kroaci, si dhe personat që flasin një gjuhë të nëngrupit të gjuhëve sllave të jugut.

Kjo do të thotë se një punëtor nga Kosova që flet vetëm shqip, nuk ka përfunduar shkollimin në Kroaci dhe punon me një leje të zakonshme qëndrimi dhe pune të bazuar në miratimin e HZZ-së, në parim do të përfshihet nga detyrimi pasi të ketë plotësuar periudhën e kërkuar të qëndrimit.

Nga ana tjetër, një shtetas i Kosovës që shkon për të punuar sezonalisht, me leje përkatëse sezonale, nuk do të ketë nevojë ta kalojë këtë provim.

Ndryshimi prek edhe punëtorët që tashmë jetojnë në Kroaci. Ata që kanë plotësuar periudhën e kërkuar të qëndrimit dhe kanë leje që përfshihen nga ligji, duhet të kenë dëshminë përkatëse gjatë aplikimit për vazhdimin e lejes pas 4 qershorit 2027.

Nëse një punëtor që i nënshtrohet këtij detyrimi nuk e paraqet dëshminë e njohjes së gjuhës, mungesa e saj përbën shkak ligjor për refuzimin e kërkesës për leje qëndrimi dhe pune.

Ndryshimet janë miratuar në maj 2026, ndërsa detyrimi për njohjen e gjuhës kroate hyn në zbatim më 4 qershor 2027. /Urgjent.com/