Adelina Xhaferi nga fshati Forinë doktoroi në Shkencat Filologjike
Adelina Xhaferi, mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe në shkollën fillore të fshatit Forinë dhe asistente në Universitetin e Tetovës e mbrojti me sukses të madh dhe të dalluar disertacionin e saj të doktoraturës me titull: “Elementi i tokës dhe fatit në prozën dhe poezinë e Murat Isakut”.
Këtë temë, në prani të të ftuarve të saj ajo e mbrojti në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit përpara komisionit të përbërë nga pesë profesorë universitarë, edhe atë: Vebi Bexheti, Demush Bajrami, Meral Veseli, Esmije Veseli dhe Jehona Rushidi-Rexhepi.
Me mbrojtjen e këtij disertacioni, të cilin ajo ia kushtoi babait të saj të ndjerë, përkrahja e të cilit në këtë rrugëtim të dijes u duk deri në frymën e tij të fundit, Adelina e fitoi titullin shkencor: Doktor i Shkencave Filologjike në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, duke u bërë një ndër doktorantet më të reja të vendit tonë.