Një 40-vjeçar shqiptar është ndaluar në kufirin gjerman dhe po përballet me procedurat e dëbimit, pasi u kap duke tentuar të kalonte kufirin pa asnjë dokumentacion të vlefshëm hyrjeje.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në pikën kufitare Reitzenhain. Gjatë një kontrolli, oficerët e Inspektoratit Federal të Policisë së Chemnitzit ndaluan një furgon të vogël me targa shqiptare që sapo kishte hyrë nga Republika Çeke. Gjatë verifikimeve, rezultoi se pasagjeri 40-vjeçar nuk zotëronte dokumente për të hyrë në shtetin gjerman.
Për shkak të dyshimeve të forta për tentativë të hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm, shqiptari u shoqërua menjëherë në stacionin e Policisë Federale në Schmalzgrube për procedura të mëtejshme. Autoritetet i refuzuan atij zyrtarisht hyrjen dhe morën vendimin për deportim të menjëhershëm. Ai pritet të riatdhesohet sot përmes Aeroportit të Berlinit.
Si pjesë e operacioneve të kësaj jave në të njëjtën pikë kufitare, policia gjermane ekzekutoi edhe dy urdhër-arreste të tjera për udhëtarë me gjoba të pashlyera. Një 41-vjeçar sllovak dhe një 28-vjeçar rumun u ndaluan pasi rezultonin debitorë ndaj shtetit gjerman për evazion fiskal dhe shkelje në trafik. Të dy personat u lejuan të vazhdonin udhëtimin e tyre vetëm pasi paguan në vend gjobat përkatëse që kapnin shumat e qindra eurove. /Urgjent.com/