You dont have javascript enabled! Please enable it! Zvicër, qëndroi 92 ditë në Kosovë, por kur u kthye në Zvicër...

Zvicër, qëndroi 92 ditë në Kosovë, por kur u kthye në Zvicër…

Zvicër, qëndroi 92 ditë në Kosovë, por kur u kthye në Zvicër…

 

Gjykata Supreme Federale e Zvicrës ka dhënë një vendim të prerë, duke mbështetur një rregull të rreptë sipas të cilit personat që kërkojnë përfitime plotësuese nuk lejohen të qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se 90 ditë rresht.

Një vendim i fundit i Gjykatës Supreme Federale të Zvicrës ka sjellë një mesazh të qartë dhe të prerë për të gjithë qytetarët që përfitojnë nga skemat sociale: tejkalimi i afatit të lejuar të qëndrimit jashtë vendit kushton shtrenjtë. Për shkak të një qëndrimi prej 92 ditësh në Kosovë, një qytetare ka rrezikuar dhe humbur të drejtën e përfitimeve plotësuese, pasi gjykata ka konfirmuar zbatimin e rreptë të rregullit prej maksimumi 90 ditësh.

Rasti specifik lidhet me një grua e cila kishte udhëtuar për në vendlindje, në Kosovë, ku kishte qëndruar nga 27 maji deri më 28 gusht 2023. Pa përfshirë ditët e hyrjes dhe të daljes, ajo kishte kaluar gjithsej 92 ditë jashtë territorit të Zvicrës.

Për shkak të këtij tejkalimi prej vetëm dy ditësh nga afati i lejuar, Zyra e Sigurimeve Shoqërore e Kantonit të St. Gallenit (SVA) kishte refuzuar kërkesën e saj për përfitime plotësuese.

Edhe pse gjykata kantonale e sigurimeve e kishte konsideruar më parë të paligjshëm këtë kufizim tremujor, Gjykata Supreme Federale ka përmbysur plotësisht atë vendim, duke i dhënë të drejtë institucionit të St. Gallenit.

Gjykata konfirmoi se rregulli i 90 ditëve (qoftë rresht, qoftë në total gjatë një viti kalendarik) është plotësisht i ligjshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë. Sipas ligjit zviceran, përfitimet plotësuese kërkojnë që personi të jetë banor i zakonshëm dhe të ketë një periudhë të pandërprerë banimi paraprak. Qëndrimet jashtë vendit që kalojnë kufirin prej 90 ditësh bëjnë që periudha e pritjes të digjet dhe të duhet të nisë nga e para.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, çështja i është kthyer sërish gjykatës kantonale të St. Gallenit. Kjo e fundit do të duhet të verifikojë nëse në këtë rast ka pasur ndonjë arsye të vlefshme ose rrethanë të jashtëzakonshme që do të mund të arsyetonte qëndrimin e zgjatur në Kosovë, pa çuar në ndërprerjen e të drejtës për përfitime. /Urgjent.com/