Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën në autostradën A2 pranë Mezzovico, në kantonin Ticino, ku shtatë persona kanë mbetur të plagosur.
Mes tyre është edhe një 49-vjeçar kosovar, banues në kantonin Aargau, i cili ka pësuar lëndime që i rrezikojnë jetën.
Sipas Policisë Kantonale të Ticinos, aksidenti ka ndodhur pak pas orës 17:30, derisa 49-vjeçari po udhëtonte në drejtim të veriut. Për arsye që ende po hetohen, vetura e tij është përplasur nga prapa me një furgon kampingu që po lëvizte para tij.
Si pasojë e goditjes, furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal pranë korsisë së emergjencës. Shoferi i tij, një 50-vjeçar shtetas spanjoll, ka pësuar lëndime të lehta.
Në veturën e kosovarit ndodheshin edhe një grua 45-vjeçare dhe dy të mitur, ndërsa në furgon ishte edhe një grua 51-vjeçare me një të mitur. Sipas policisë, pesë personat e tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Të shtatë personat e përfshirë në aksident janë dërguar në spitale për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e 49-vjeçarit kosovar është vlerësuar si serioze dhe me rrezik për jetën.
Për shkak të ndërhyrjes së ekipeve emergjente dhe largimit të automjeteve të aksidentuara, një pjesë e autostradës A2 në drejtim të veriut është mbyllur përkohësisht. Kjo ka shkaktuar kolona të gjata trafiku, të cilat në një moment kanë arritur deri në 21 kilometra në drejtim të Gotthardit.
Autostrada është rihapur plotësisht para mesnatës, por vonesat në trafik kanë vazhduar edhe pas hapjes së saj. Policia po heton shkaqet e sakta të aksidentit. /Urgjent.com/