Zvicra në Mars 2026: Nga votimet historike te ndryshimet e stinës
Marsi i vitit 2026 pritet të jetë një muaj dinamik për Konfederatën Helvetike. Mes debateve parlamentare, vendimeve në kutitë e votimit dhe afateve tatimore, ja gjithçka që duhet të dini për ndryshimet që po vijnë.
2 – 20 mars: Parlamenti nis sesionin pranveror
Deputetët e Këshillit Kombëtar dhe ai i Shteteve rikthehen në Bernë për të diskutuar një sërë nismash që prekin jetën e përditshme dhe politikën e jashtme. Ndër temat më të nxehta spikasin:
Neutraliteti: Iniciativa e SVP-së për saktësimin e statusit neutral të Zvicrës.
Siguria dhe Emigracioni: Propozimi për kontrollin sistematik të dëshmive penalëve për qytetarët e BE-së që kërkojnë leje qëndrimi.
Identiteti Familjar: Mundësia që çiftet e martuara të mbajnë mbiemra të dyfishtë.
Ekonomia dhe Turizmi: Propozimi për një taksë tranziti për turistët e huaj dhe nxitja e pensionistëve për t’u rikthyer në tregun e punës.
8 mars: Dita e rëndësishme e referendumeve
Zviceranët do t’u drejtohen kutive të votimit për katër çështje kombëtare:
Licenca TV 200 franga: Synohet ulja e tarifës vjetore të transmetimit publik nga 330 në 200 CHF.
Taksimi Individual: Një reformë që synon të ndajë llogaritjen e taksave për çiftet e martuara, duke shmangur “penalizimin” e martesës.
Klima dhe Energjia: Kërkesa për fonde të reja federale për projektet ekologjike.
Iniciativa “Paraja është liri”: Mbrojtja me kushtetutë e përdorimit të keshit (parave cash).
Në nivel lokal, spikat votimi në Gjenevë për pagën minimale të punëve verore dhe kufizimet e shpejtësisë (30 km/h) në Basel-Landschaft.
Kalendari i Stinëve dhe Orës
20 mars (04:00): Mirëpritni pranverën! Ekuinoksi pranveror sjell barazimin e ditës me natën.
29 mars: Mos harroni të ndryshoni orën. Në orën 03:00, akrepat do të shkojnë 60 minuta para, duke na dhuruar mbrëmje më të gjata e me më shumë dritë.
31 mars: Afati i fundit për taksat
Ky është muaji i “llogarive” me shtetin. Në shumicën e kantoneve, deklarata tatimore duhet dorëzuar brenda datës 31 mars (shënim: në Bernë dhe Vaud afati është deri më 15 mars).
Këshillë: Nëse e keni të pamundur ta përfundoni brenda afatit, kërkoni një shtyrje (frëngjisht: délai; gjermanisht: Fristverlängerung) pranë autoriteteve kantonale. Nëse përdorni një zyrë kontabiliteti, kjo procedurë zakonisht kryhet automatikisht prej tyre.
Fluturime të reja me SWISS
Nga data 29 mars, kompania kombëtare SWISS shton destinacionet e saj. Cyrihu do të lidhet drejtpërdrejt me qytetin e Poznanit në Poloni, me fluturime të rregullta tri herë në javë (të hënë, të enjte dhe të diel).