You dont have javascript enabled! Please enable it! Vrasja e nënës kosovare në Austri: I dyshuari pretendon se e kreu krimin për t’i shpëtuar fëmijët nga “magjia e zezë”

Vrasja e nënës kosovare në Austri: I dyshuari pretendon se e kreu krimin për t’i shpëtuar fëmijët nga “magjia e zezë”

Vrasja e nënës kosovare në Austri: I dyshuari pretendon se e kreu krimin për t’i shpëtuar fëmijët nga “magjia e zezë”

Një kthesë tronditëse ka ndodhur në rastin e vrasjes së 38-vjeçares kosovare në Sooß të Austrisë, ku bashkëshorti i saj 47-vjeçar ka dhënë dëshmi rrëqethëse para hetuesve.

Ndërsa detajet e reja të autopsisë konfirmojnë një shkallë ekstreme të brutalitetit, deklaratat e të dyshuarit kanë lënë pa fjalë autoritetet mjeko-ligjore dhe policinë.

Sipas raportit të autopsisë, skena e krimit ka qenë tmerruese. Burri fillimisht ka qëlluar tre herë me pistoletë 9 mm në drejtim të gruas, duke e goditur në kokë, qafë dhe gjoks. Megjithatë, rezultatet mjekësore treguan se këto të shtëna nuk ishin fatale. Vdekja e nënës së katër fëmijëve u shkaktua më pas nga goditjet e shumta me një kaçavidë, me të cilën i dyshuari e ka goditur të paktën dhjetë herë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Pas aktit, ai u përpoq ta fshihte trupin në kopsht nën mbeturina dhe fillimisht tentoi t’ia linte fajin një personi të panjohur para fëmijës së tij dhe policisë. Gjatë marrjes në pyetje në Wiener Neustadt, 47-vjeçari nuk ka shfaqur asnjë emocion, duke deklaruar se krimin e bëri për t’i “shpëtuar fëmijët nga rrënimi”. Ai ka pretenduar para hetuesve se gruaja e tij ishte e pushtuar nga “magjia e zezë” dhe se ai kishte një lidhje të veçantë me “engjëjt dhe Zotin”.

Hetimet kanë zbuluar se çifti ishte ndarë në vitin 2019 dhe se burri kishte pasur urdhër mbrojtjeje, përfshirë ndalimin e kontaktit me fëmijët për një vit. Megjithatë, ai e kishte përndjekur vazhdimisht ish-bashkëshorten, duke i bërë pritë edhe në vendin e saj të punës. Pistoleta e përdorur në krim dhe kaçavida janë sekuestruar nga policia si prova materiale.

Kjo tragjedi ka lënë pas katër fëmijë të mitur të cilët tashmë janë nën kujdesin e autoriteteve sociale. Ndërkohë, trupi gjykues pritet të urdhërojë një ekspertizë psikiatrike për të dyshuarin, për të vlerësuar gjendjen e tij mendore pas deklaratave të tij rreth magjisë dhe forcave mbinatyrore që çuan në masakrimin e bashkëshortes. /Urgjent.com/