Deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj një komenti në rrjetet sociale, ku ai ishte quajtur “vrasës”, duke paralajmëruar veprime ligjore ndaj autorit.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Rubikon” në Klankosova, Haradinaj deklaroi se personi në fjalë tashmë është denoncuar dhe se rasti do të përfundojë në gjykatë.
Ai u shpreh se beson që autori i komentit është penduar për deklaratën e tij, por theksoi se kjo nuk do të ndikojë në vendosmërinë e tij për ta ndjekur rastin deri në fund.
“Jam i bindur që i ka rënë pishman. Nëse vjen në aeroport, e pret policia. Jo vetëm që është denoncuar, por asnjë kompromis nuk do ta bëj. Ky do të dalë para gjyqit, vetëm nëse nuk e shkel kurrë Kosovën. Boll më,” deklaroi ai.
Sipas Haradinajt, raste të tilla duhet të trajtohen seriozisht dhe të kenë pasoja ligjore, në mënyrë që të parandalohet gjuha e urrejtjes dhe akuzat e pabazuara ndaj figurave publike.
Ky reagim vjen në një kohë kur debatet në rrjetet sociale shpesh tejkalojnë kufijtë e komunikimit etik, duke nxitur diskutime mbi përgjegjësinë ligjore për deklaratat publike.
Ndërkohë, mbetet të shihet se si do të zhvillohet më tej ky rast në organet e drejtësisë, ndërsa deklarata e Haradinajt ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin publik.