Rregulla të reja për hyrje në Mal të Zi. Ja çfar duhet të dijnë qytetarët që udhëtojnë
Mali i Zi miraton rregulloren e re për regjimin e vizave, zbatimi nis më 1 nëntor 2026
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar, në një seancë telefonike, rregulloren e re për regjimin e vizave, e cila përcakton kushtet për hyrjen, tranzitin dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në vend.
Rregullorja do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në “Fletoren Zyrtare të Malit të Zi”, ndërsa zbatimi i saj do të nisë më 1 nëntor 2026.
Sipas tekstit të rregullores, shtetasit e një numri të madh vendesh do të mund të hyjnë në Mal të Zi, të kalojnë tranzit nëpër territorin e tij dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë pa vizë, me një dokument udhëtimi të vlefshëm.
Në këtë kategori përfshihen shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, Australisë, Zelandës së Re dhe një numri të madh vendesh të tjera, raporton Radio-Televizioni i Malit të Zi (RTCG).
Qëndrim pa vizë deri në 90 ditë do të mund të përfitojnë edhe mbajtësit e dokumenteve të vlefshme të udhëtimit nga rajonet e posaçme administrative të Kinës, Hong-Kongu dhe Makao, si dhe nga disa territore përtej detit të Mbretërisë së Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo mundësi vlen edhe për mbajtësit e dokumenteve të udhëtimit të lëshuara për Tajvanin, sipas kushteve të përcaktuara në rregullore.
Rregullorja e re ruan gjithashtu mundësinë e hyrjes në Mal të Zi me kartë identiteti të vlefshme për shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Islandës, Kosovës, Lihtenshtajnit, Maqedonisë së Veriut, Monakos, Norvegjisë, San Marinos, Serbisë, Selisë së Shenjtë dhe Zvicrës.
Shtetasit e këtyre vendeve do të mund të hyjnë në Mal të Zi, të kalojnë tranzit dhe të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë, duke paraqitur një kartë identiteti të vlefshme.
Një regjim i veçantë parashikohet edhe për shtetasit e Perusë, të cilët do të mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë me dokument udhëtimi të vlefshëm, në përputhje me marrëveshjen për udhëtimin e ndërsjellë të shtetasve.
Rregullorja përcakton gjithashtu se të huajt që posedojnë dokument udhëtimi të vlefshëm dhe vizë të vlefshme të zonës Shengen, si dhe vizë nga Australia, Japonia, Kanadaja, Zelanda e Re, Irlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Mbretëria e Bashkuar, do të mund të hyjnë në Mal të Zi pa pasur nevojë për vizë të veçantë malazeze.
Këtyre personave u lejohet qëndrimi deri në 30 ditë, ose për një periudhë më të shkurtër nëse viza e tyre skadon më herët.
I njëjti rregull zbatohet edhe për kategori të caktuara të shtetasve të huaj që posedojnë leje qëndrimi në shtetet dhe territoret e përmendura.
Në këto raste, qëndrimi në Mal të Zi mund të zgjasë maksimumi 30 ditë, ose deri në skadimin e lejes së qëndrimit, nëse ajo ka afat më të shkurtër vlefshmërie.
Rregullorja sqaron se këto mundësi vlejnë për mbajtësit e dokumenteve përkatëse të udhëtimit, vizave dhe lejeve të qëndrimit që janë të vlefshme.
Dokumenti rregullon edhe hyrjen e shtetasve të huaj që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e saj të specializuara. Ata do të mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 90 ditë pa vizë.
Parashikohen gjithashtu kushte të veçanta për refugjatët, personat pa shtetësi, mbajtësit e dokumenteve të posaçme të udhëtimit për të huajt, si dhe personelin diplomatik dhe zyrtar.
Për kategori të caktuara personash që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara në bazë të konventave për statusin e refugjatëve dhe të personave pa shtetësi, si dhe dokumente të posaçme udhëtimi për të huajt, lejohet qëndrimi deri në 30 ditë pa vizë.
Diplomatët dhe zyrtarët nga shtetet me të cilat Mali i Zi ka lidhur marrëveshje dypalëshe do të udhëtojnë në përputhje me dispozitat e këtyre marrëveshjeve.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, dokumenti i mëparshëm që rregullonte regjimin e vizave do të pushojë së zbatuari.