You dont have javascript enabled! Please enable it! Pas dënimit të ri të Thaçit, reagon kryeprokurorja e Speciales – ja çfarë paralajmëron

Pas dënimit të ri të Thaçit, reagon kryeprokurorja e Speciales – ja çfarë paralajmëron

Prokurorja e Specializuar, Kimbërli Uest, ka mirëpritur aktgjykimin e së martës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë.

Pas shpalljes së vendimit më 17 nëntor, Uest deklaroi se askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për ndërhyrje në proceset gjyqësore, pavarësisht pozitës që mban.

Ajo paralajmëroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve që lidhen me pengimin e drejtësisë.

Sipas saj, përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët dhe për të zbuluar materiale konfidenciale cenojnë integritetin e procedurave gjyqësore.

Reagimi i Uestit erdhi pasi Gjykata Speciale e dënoi Hashim Thaçin me 17 muaj burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjykata konstatoi se Thaçi kishte luajtur rol udhëheqës në koordinimin e përpjekjeve për të ndikuar te dëshmitarët e mbrojtur.

Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, dënime që u konsideruan të shlyera për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.

Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Sipas ZPS-së, akuzat mbështeteshin në audioincizime të fshehta të autorizuara nga gjykata dhe materiale të sekuestruara gjatë hetimeve.