Gjykata në Hagë e dënon sërish me burg, Hashim Thaçi nuk përmbahet – ja çka i tha gjykatësit
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raportohet se ka reaguar menjëherë pasi Gjykata Speciale në Hagë e dënoi me 17 muaj burgim në procesin gjyqësor për pengim të drejtësisë.
**“Kjo është politikë, nuk është drejtësi”**, citohet të ketë thënë Thaçi pas shpalljes së aktgjykimit të martën, më 17 nëntor.
Sipas raportimeve nga seanca, pasi gjyqtari Christopher Gosnell ia kumtoi dënimin, Thaçi tentoi të fliste, por nuk iu dha fjala. Më pas, ai u ul në vendin e tij.
Në këtë proces, Thaçi u shpall fajtor për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. Gjykata i shqiptoi dënim të njësuar prej një viti e pesë muajsh burgim.
Gjatë arsyetimit të aktgjykimit, gjyqtari iu referua edhe bisedave që Thaçi kishte zhvilluar me disa prej të bashkëakuzuarve gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Në njërën prej tyre, Thaçi dhe Bashkim Smakaj kishin diskutuar për dëshmitarin Bislim Zyrapi. Gjyqtari citoi pjesë të bisedës, përfshirë fjalët “Mos e përziej, mos e përziej” dhe “Komandantët, komandantët”.
Gjykata trajtoi edhe takimin e Thaçit me Fadil Fazliun, më 2 korrik 2023, gjatë të cilit ishte diskutuar për dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa.
Sipas gjyqtarit, Thaçi e kishte përshkruar Mustafën si dëshmitar vendimtar dhe i kishte dhënë Fazliut mesazhe për t’ia përcjellë, përfshirë shprehjet “Shkurt thuaji, shkurt”, “Mos filozofo” dhe “Thuaj kam besim në ty shumë”.
Vendimet për katër të bashkëakuzuarit
Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj u dënua me 12 muaj burgim. Megjithatë, gjykata konstatoi se ai kishte kaluar më shumë kohë në paraburgim sesa dënimi i shqiptuar, prandaj vendosi lirimin e tij pas seancës.
Edhe Fadil Fazliu u dënua me 12 muaj burgim për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave. Dënimi i tij u konsiderua i shlyer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës. Kuçi u shpall i pafajshëm për njërën pikë të aktakuzës dhe fajtor për një tjetër.
Ndërkaq, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për akuzat për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës. Gjykata urdhëroi lirimin e tij pas përfundimit të seancës.
Reagon PDK-ja
Pas shpalljes së aktgjykimit, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi vendimin si “të turpshëm” dhe “të papranueshëm”.
Ajo ngriti shqetësime për paanshmërinë e Gjykatës Speciale, duke thënë se proceset e njëpasnjëshme, kontestimet procedurale dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë shtuar pikëpyetjet për administrimin e drejtësisë.
“Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë”, deklaroi Çitaku.
Ajo paralajmëroi veprime politike, juridike dhe diplomatike në kundërshtim me atë që e konsideron padrejtësi.
Aktgjykimi i së martës është vendim i shkallës së parë dhe lidhet me procesin për pengim të drejtësisë, të ndarë nga procesi kryesor ndaj Thaçit për krime lufte.
Videon e plote e gjeni KETU