You dont have javascript enabled! Please enable it! Njoftim i rëndësishëm në AUSTRI: Prej datës 1 Nëntor

Njoftim i rëndësishëm në AUSTRI: Prej datës 1 Nëntor

Njoftim i rëndësishëm në AUSTRI: Prej datës 1 Nëntor.

Shoferët që jetojnë apo udhëtojnë nëpër Austri duhet të bëhen gati për rregullat e dimrit. Nga 1 nëntori 2026 deri më 15 prill 2027, në këtë shtet hyn në fuqi detyrimi për pajisjen e automjeteve me goma dimërore në rastet kur rrugët janë të mbuluara me borë, akull ose baltë bore. Mosrespektimi i rregullave mund të sjellë gjoba që, në raste të rënda, arrijnë deri në 10 mijë euro.

Klubi Austriak i Automobilave dhe Motoçikletave (ÖAMTC) ka rikujtuar më 16 tetor se drejtuesit e automjeteve duhet të përgatiten me kohë për sezonin dimëror, duke kontrolluar gjendjen e gomave dhe duke rezervuar termin për ndërrimin e tyre.

Sipas rregullave austriake, detyrimi zbatohet për veturat dhe automjetet e transportit deri në 3.5 tonë, përfshirë veturat me rimorkio, kur kushtet e rrugës janë dimërore.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nga 1 nëntori çdo automjet duhet detyrimisht të ketë goma dimërore në çdo kusht atmosferik. Për veturat, ligji e lidh këtë detyrim me praninë e borës, akullit ose baltës së borës në rrugë.

Gjoba deri në 10 mijë euro

ÖAMTC paralajmëron se shoferët që qarkullojnë pa pajisjet e kërkuara dimërore në kushte të tilla rrezikojnë një gjobë prej rreth 100 eurosh.

Por nëse drejtimi i automjetit pa goma të përshtatshme rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, gjoba mund të arrijë teorikisht deri në 10 mijë euro.

Në raste kur shoferi refuzon të përdorë goma dimërore ose zinxhirë të përshtatshëm dhe paraqet rrezik për sigurinë, policia mund t’ia ndalojë vazhdimin e udhëtimit.

Cilat goma lejohen?

Gomat dimërore duhet të kenë shenja të përshtatshme, si M+S, M&S, M.S. ose simbolin e malit me flokë bore.

Për shumicën e gomave dimërore të veturave, thellësia minimale e profilit duhet të jetë 4 milimetra, ndërsa për gomat e konstruksionit diagonal kërkohen 5 milimetra.

Edhe gomat për të gjitha stinët mund të përdoren gjatë dimrit, nëse i plotësojnë kërkesat përkatëse ligjore.

Si alternativë, shoferët mund të përdorin zinxhirë në të paktën dy rrota lëvizëse, por vetëm kur rruga është e mbuluar pothuajse vazhdimisht me borë ose akull.

Probleme edhe me kompanitë e sigurimeve

Përveç gjobave, drejtuesit e automjeteve mund të përballen me pasoja financiare në rast aksidenti.

Nëse një shofer shkakton aksident në kushte dimërore duke përdorur goma verore, mund të konsiderohet pjesërisht përgjegjës për dëmin dhe të përballet me kërkesa financiare nga kompania e sigurimeve, varësisht nga rrethanat.

Paralajmërim edhe për mërgimtarët

Rregullat vlejnë edhe për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë në territorin austriak.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mërgimtarët që udhëtojnë drejt Kosovës ose vendeve të tjera të Ballkanit përmes Austrisë gjatë muajve të dimrit.

Eksperti i ÖAMTC-së, Steffan Kerbl, u ka rekomanduar shoferëve të mos presin reshjet e para të borës për ndërrimin e gomave, pasi temperaturat e ulëta dhe rrugët e lagështa mund të krijojnë kushte të rrezikshme edhe përpara fillimit të dimrit.

Rregullat hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2026 dhe vlejnë deri më 15 prill 2027. /Urgjent.com/