🇦🇱🤝🇨🇭 𝐃𝐢𝐚𝐬𝐩𝐨𝐫𝐚 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐧ë 𝐙𝐯𝐢𝐜ë𝐫 𝐧ë 𝐟𝐨𝐤𝐮𝐬: 𝐇𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐄𝐥𝐞𝐟𝐭𝐡𝐞𝐫𝐢𝐚 𝐓𝐚𝐧𝐤ë𝐬
Eleftheria Tanka është një nga ato vajza shqiptare të diasporës që me punën, përkushtimin dhe vizionin e saj, bëhet shembull frymëzues për komunitetin tonë në Zvicër dhe më gjerë.
E rritur mes dy kulturave, shqiptare dhe greke, ajo që në moshë të vogël u magjeps nga fuqia e gjuhës për të lidhur njerëzit. Kjo dashuri për gjuhët e huaja e çoi drejt një rruge profesionale të pasur: me studime të thelluara në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe përkthim në disa gjuhë, Eleftheria sot numëron një karrierë ndërkombëtare në rritje.
Nga përvoja në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë, mësimdhënia e gjuhës angleze, menaxhimi i zyrës në Cyrih 🇨🇭, deri te puna e saj e pavarur si përkthyese profesionale, Eleftheria ka treguar se përkushtimi dhe këmbëngulja hapin dyer të reja. Sot ajo bashkëpunon me kompani europiane, duke ofruar përkthime dhe lokalizim në shqip, greqisht, anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht, duke qenë një urë e vërtetë komunikimi mes kulturave.
Sfida nuk i kanë munguar, sidomos fakti që është bërë nënë në moshë të re , duke ndërtuar paralelisht karrierën e saj. Por ajo ka treguar se roli i nënës dhe ai i profesionistes jo vetëm që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por mund të përforcohen kur mbështeten në besim, pasion dhe vendosmëri.
“Çdo përkthim është një përgjegjësi,” shprehet Eleftheria, duke theksuar se puna e saj nuk kufizohet vetëm te fjalët, por tek ruajtja e kuptimit, ndjeshmërisë kulturore dhe besimit në komunikim.
Me përkushtimin e saj, ajo dëshmon se vajzat shqiptare të diasporës mund të konkurrojnë me sukses në çdo skaj të botës , duke sjellë krenari për origjinën dhe komunitetin e tyre 🇦🇱.