Në këto ditë vjeshte, kur gjethet shumëngjyrëshe kanë mbuluar tokën, ka ardhur edhe sezoni i gështenjave – produktit më të dashur të kësaj kohe.
Në zemër të St. Gallenit, përballë kryqëzimit qendror, përgjatë Multergasse-s ku gjallëron tregtia e përditshme, aroma e gështenjave të pjekura përhapet e ngrohtë dhe të çon vetvetiu te strehat e vogla tregtare. Aty familja Hajdari, prej dekadash, u ofron kalimtarëve lule të bukura dhe gështenja sezonale.
Që nga larg ndjehet aroma karakteristike, dhe njerëzit me ëndje i afrohen radhës për t’i shijuar këto dhurata të natyrës. Maestro, haxhi Luli, me djemtë e tij, me modesti, buzëqeshje dhe mjeshtri, prej vitesh i shërbejnë me zemër të hapur çdo klienti që ndalet para tyre.
Sot pata fatin të jem pranë kësaj kështjelle, ku miku im i zemrës më ftoi jo vetëm të shijoj gështenjat, por edhe të ndaj disa çaste të ngrohta me të.
Faleminderit, haxhi Lulzim Hajdari.
St. Gallen, 14 nëntor 2025