You dont have javascript enabled! Please enable it! Latifi godet Shqiptarët e Maqedonisë: “Ata të hidhen në fyt për Palestinën, por kur ia ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, kthen kokën në anën tjetër”

Latifi godet Shqiptarët e Maqedonisë: “Ata të hidhen në fyt për Palestinën, por kur ia ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, kthen kokën në anën tjetër”

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës të 24 prillit 2007, me të cilin sheshi qendror dhe disa rrugë të qytetit ishin emërtuar “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara”, “Kongresi i Manastirit” dhe me emra të tjerë nga historia shqiptare.

Sipas arsyetimit të raportuar, vendimi komunal ishte marrë pa pëlqimin paraprak të Qeverisë, i cili kërkohej nga legjislacioni për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Shfuqizimi i tij rikthen emërtimet e mëparshme, përfshirë emrin “Marshall Tito” për sheshin që prej vitit 2007 njihej si “Iliria”.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar profesori dhe analisti Blerim Latifi, i cili ka ngritur pyetjen se përse ligjshmëria e vendimit të vitit 2007 nuk ishte kontestuar atëherë, por vetëm pas pothuajse dy dekadash.

Sipas Latifit, kjo lidhet me dobësimin e pozitës politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Pse ky vendim nuk u mor atëherë, por u desh të priteshin pothuajse dy dekada? Nuk është aspak e vështirë të kuptohet arsyeja: sot shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë politikisht shumë më të dobët sesa ishin në atë kohë”, ka shkruar Latifi.

Ai ka përmendur edhe debatet rreth përdorimit të gjuhës shqipe, duke vlerësuar se protestat e studentëve nuk arritën të shndërroheshin në një lëvizje më të gjerë politike.

Sipas tij, partitë shqiptare janë më të përçara dhe kanë më pak ndikim politik se më parë, ndërsa një pjesë e elitës kulturore është përqendruar në kauza të largëta, duke humbur ndjeshmërinë ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejt pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Latifi e ka përshkruar këtë gjendje si paradoksale.

“Shqiptari i Maqedonisë mund të të hidhet në fyt për Palestinën, por kur ia ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, kthen kokën në anën tjetër”, ka deklaruar ai.

Ai ka paralajmëruar se, sipas vlerësimit të tij, qarqet nacionaliste maqedonase po përpiqen t’i zhbëjnë rezultatet politike dhe institucionale që shqiptarët arritën pas konfliktit të vitit 2001.

“Do të doja, por nuk shoh se do të hasin në shumë vështirësi”, ka përfunduar Latifi.