Albin Sulejmani, talenti i ri shqiptar që po shkëlqen në Itali
14-vjeçari nga Gostivari, Albin Sulejmani, po konsiderohet si një nga talentët më premtues shqiptarë në futbollin evropian. I rritur në Itali, ai ka nisur rrugëtimin e tij futbollistik që në moshën 5-vjeçare, duke treguar potencial të jashtëzakonshëm që në hapat e parë.
Pas paraqitjeve të mira në një klub lokal, Sulejmani u transferua te FC Südtirol, ku arriti të spikasë me statistika mbresëlënëse. Gjatë sezonit të fundit, sulmuesi i ri realizoi 14 gola dhe kontribuoi me 15 asistime, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura italiane.
Falë formës së tij të shkëlqyer dhe zhvillimit të vazhdueshëm, Albin Sulejmani ka firmosur tashmë me Torino FC, një hap i madh në karrierën e tij dhe një mundësi ideale për të vazhduar ngritjen në futbollin profesionist.
Një tjetër sukses i rëndësishëm për talentin nga Gostivari është edhe ftesa nga Kombëtarja e Shqipërisë U15, ku pritet të jetë një nga emrat kryesorë të gjeneratës së re.
Sulejmani aktivizohet në repartin ofensiv si sulmues dhe vlerësohet për shpejtësinë, teknikën dhe instinktin për gol. Me ritmin që po zhvillohet, ai shihet si një prej futbollistëve me të ardhme premtuese për futbollin shqiptar.