You dont have javascript enabled! Please enable it! Gjyqësori në Maqedoni, reforma vetëm në letër, por jo edhe në realitet

Gjyqësori në Maqedoni, reforma vetëm në letër, por jo edhe në realitet

Gjyqësori në Maqedoni, reforma vetëm në letër, por jo edhe në realitet – Alsat

” ”

Gazetar: Suad Bajrami

Në pritje të raportit të progresit nga Komisioni Evropian, ekspertët e vlerësojnë gjendjen me reformat në gjyqësor si katastrofike dhe shqetësuese. Analisti Sinisha Pekevski sheh stagnim në këtë fushë, e cila ka rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Në letër lëvizim, por në realitet fare nuk lëvizim. Është për të ardhur keq që tanimë të gjithë evidentojnë se në Maqedoni nuk sundon e drejta dhe se korrupsioni në gjyqësor është i madh. Për besimin në sistemin gjyqësor më herët kemi thënë se është 3%, ndërsa tani do të thosha se është në zero presje disa decimale ose është në minus. Që tregon se as qytetarët beson në sistemin, as pushteti aktual beson në sistemin, e as Komisioni Evropian beson në gjyqësor”, theksoi Sinisha Pekevski, Analist.

Arsye për zhgënjimin, sipas Pekevskit, janë edhe vendimet skandaloze të gjykatave në raste me interes të lartë publik.

“Aktgjykimet e fundit që janë rrëzuar në Gjykatën Supreme si Llaskarca dhe një rast tjetër, tregojnë se shumë çështje janë të gabuara e aq më shumë gabim është që askush nuk mban përgjegjësi për shkak të rrëzimit të aktgjykimeve përpara Gjykatës Supreme”, shton Pekevski.

Pekevski nuk pret notë pozitive në raportin e progresit për këtë vit, ndërsa pret që të përsëriten rekomandimet që ndër vite jepen e nuk realizohen.

“Sërish do të evidentohen ato të cilat të gjithë i kanë  të njohura se gjendja edhe në Këshillin Gjyqësor, por edhe në gjyqësor është në nivel shumë të ulët. Është e evidentuar ajo, nuk duhet të na thotë Komisioni Evropian, ne atë e jetojmë çdo ditë”, theksoi Pekevski.

Në raportin e Komisionit Evropian për vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut nuk kishte shënuar progres në fushën e drejtësisë. Ndër problemet kryesore, KE-ja kishte evidentuar presionet ndaj gjyqësorit, problemet me pavarësinë dhe transparencën, mungesën e burimeve dhe efikasitetit, si dhe rezultatet e pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian thekson se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjeve dhe reformave në praktikë. /Alsat.mk