Policia kufitare në Aeroportin e Memmingenit ka zbuluar një rast të dyshuar të shmangies së detyrimit shkollor, pasi një nënë 38-vjeçare tentoi të udhëtonte drejt Prishtinës me tre fëmijët e saj, duke paraqitur si arsye një emergjencë të pretenduar mjekësore në Kosovë.
Rasti ka ndodhur të enjten, më 8 tetor 2026, gjatë kontrolleve para nisjes së një fluturimi të Wizzair nga Memmingeni drejt Prishtinës.
Sipas policisë, nëna kishte paraqitur certifikata lirimi nga shkolla për dy nga fëmijët, duke pretenduar se familja duhej të udhëtonte urgjentisht për shkak të një situate mjekësore në Kosovë.
Mirëpo, gjatë verifikimeve, policia kishte konstatuar se fluturimi ishte rezervuar disa muaj më parë. Për autoritetet, kjo ngriti dyshimin se emergjenca mjekësore nuk ishte arsyeja reale e udhëtimit.
Pas konstatimeve të policisë, shkollat përkatëse i kanë tërhequr lejet për mungesë, ndërsa për rastin është njoftuar edhe autoriteti përgjegjës shkollor.
Pavarësisht kësaj, familjes i është lejuar të vazhdojë udhëtimin drejt Kosovës. Nëna, megjithatë, tani përballet me procedurë për shkeljen e detyrimit shkollor dhe mund të gjobitet.
Në Gjermani, ndjekja e shkollës është e detyrueshme për fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa mungesat jashtë pushimeve duhet të aprovohen nga institucioni shkollor. Sipas policisë kufitare në Memmingen, prindërit që shkelin këto rregulla zakonisht mund të përballen me gjoba prej 200 deri në 800 euro, ndërsa në raste të veçanta ato mund të arrijnë deri në 1.000 euro.
Kontrolle të tilla janë të shpeshta në Aeroportin e Memmingenit, veçanërisht para dhe pas pushimeve shkollore në Bavari dhe Baden-Württemberg. Policia ka bërë të ditur se në shkurt të këtij viti, vetëm në ditën e parë pas pushimeve të Karnavaleve, kishte identifikuar 21 fëmijë që duhej të ishin në shkollë, por ndodheshin në aeroport.
Autoritetet gjermane thonë se rastet e evidentuara u përcillen institucioneve përkatëse shkollore, të cilat më pas vendosin për procedurat dhe gjobat eventuale ndaj prindërve. /Urgjent.com/