Dy shtetas të Kosovës, të moshës 25 dhe 26 vjeç, dyshohet se kanë tentuar të kryejnë një vjedhje në një depo në Magolsheim, pranë Münsingenit në Gjermani.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur pak para mesnatës të enjten, kur dy burrat janë parë pranë depos në rrethana që ngritën dyshime për tentativë vjedhjeje.
Kur pronari i objektit iu afrua, dy të dyshuarit janë larguar me vrap në drejtim të qendrës së qytetit.
Policia është njoftuar menjëherë, ndërsa me ndihmën e disa qytetarëve, dy burrat janë lokalizuar dhe kapur pak më vonë.
Gjatë verifikimit, autoritetet kanë konstatuar se ndaj 25-vjeçarit ekzistonte edhe një urdhërarrest për një çështje tjetër. Për këtë arsye, ai është dërguar në një institucion korrektues.
Ndërkaq, 26-vjeçari, i cili dyshohet se ishte bashkë me të në këtë rast, është liruar të premten pas përfundimit të procedurave policore.
Sipas policisë, në depo nuk janë shkaktuar dëme materiale. Hetimet për rrethanat e sakta të rastit vazhdojnë. /Urgjent.com/