DY OFICERË POLICIE TË DYSHUAR PËR GRABITJE NË ARGJENDARİ NË GOSTIVAR U ARRESTUAN, PERSONA TË TJERË PO KËRKOHEN, NGRIHEN KALLËZIME PENALE
Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Gostivarit kundër dy personave, për shkak të dyshimit se si bashkëkryes kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale “Grabitje”, sipas nenit 237 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Të dyshuarit janë privuar nga liria gjatë ditës së djeshme.
Më 10.10.2025, ata, së bashku me persona të tjerë ende të panjohur, kanë hyrë në një argjendari në Gostivar dhe me forcë dhe kërcënim me armë zjarri kanë marrë 18 kilogramë ar.
Të dy të dyshuarit janë oficerë policie nga Njësia e Punëve të Brendshme në Kërçovë, të cilët janë marrë vesh dhe kanë bërë planin për grabitjen bashkë me personat e tjerë, për të cilët po ndërmerren masa intensive për t’u gjetur.
Të dyshuarit kanë marrë pjesë në përgatitjet për grabitjen duke bërë vrojtime në vendndodhjen dhe punën e argjendarisë dy ditë para ngjarjes.
Në ditën e vetë grabitjes, ata me një automjet zyrtar të MPB-së kanë siguruar rrugën e dy automjeteve të përdorura për grabitjen në Gostivar, nga të cilat njëri më pas është gjetur i djegur në rrugën magjistrale Gostivar–Dibër, ndërsa tjetri është gjetur i braktisur në Kërçovë, afër tregut të bagëtive.
MPB-ja, në koordinim me Prokurorinë Publike Themelore të Gostivarit, po ndërmerr masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit.