Austria po i jep fund vinjetës që ngjitet në xhamin e automjetit. Sipas ASFINAG-ut, vinjeta e kuqe për vitin 2026 është versioni i fundit fizik, ndërsa vinjetat për vitin 2027 do të ofrohen vetëm në formë digjitale.
Kalimi i plotë përfundon më 1 shkurt 2027, pasi të ketë skaduar vlefshmëria e vinjetave të fundit ngjitëse.
Për shoferët që udhëtojnë nëpër Austri, përfshirë mërgimtarët që lëvizin drejt Kosovës, një hollësi është veçanërisht e rëndësishme: vinjeta vjetore 2026 nuk skadon më 1 janar. Ajo vlen nga 1 dhjetori 2025 deri më 31 janar 2027, në orën 23:59. Kjo do të thotë se personat që e kanë blerë dhe vendosur siç duhet vinjetën vjetore 2026 mund ta përdorin edhe gjatë janarit të vitit të ardhshëm.
Vëmendje kërkon sidomos mënyra e blerjes së vinjetës digjitale. Sipas rregullave aktuale, kur një konsumator privat blen vinjetë dymujore ose vjetore përmes dyqanit online apo aplikacionit të ASFINAG-ut, vlefshmëria mund të fillojë më së hershmi në ditën e 18-të pas blerjes. Ky afat lidhet me të drejtën 14-ditore të tërheqjes nga blerja online dhe tri ditë shtesë për dërgimin e njoftimit me postë. Prandaj, pagesa e kryer pak para nisjes nuk nënkupton se vinjeta është menjëherë e vlefshme.
Rregulli 18-ditor nuk zbatohet për vinjetat digjitale njëditore dhe dhjetëditore, të cilat mund të blihen online me vlefshmëri të menjëhershme. Vinjeta njëditore mbulon një ditë kalendarike. Edhe vinjetat dymujore dhe vjetore mund të merren për përdorim të menjëhershëm kur blihen në pikat përkatëse të shitjes, kabinat e pagesës ose automatet e ASFINAG-ut.
Kalimi në sistemin digjital nuk i detyron shoferët të blejnë vetëm përmes internetit. ASFINAG njofton se vinjetat digjitale do të vazhdojnë të shiten në pika karburanti, kioska, kabina pagese dhe te partnerë si ÖAMTC e ARBÖ. Kompania ka paralajmëruar edhe zgjerimin e rrjetit të shitjes për ta lehtësuar kalimin në sistemin e ri.
Vinjeta digjitale lidhet me targën e automjetit, ndaj gjatë blerjes duhet të shënohen saktë numri i targës dhe shteti i regjistrimit. Një gabim mund të bëjë që vinjeta të mos lidhet me automjetin e duhur. Para udhëtimit, shoferët mund ta kontrollojnë vlefshmërinë në regjistrin zyrtar të ASFINAG-ut, ku shfaqet edhe periudha për të cilën ajo është aktive.