Një skemë gjigante mashtrimi me sigurimet shoqërore në Austri, e udhëhequr nga shtetas kosovarë, ka marrë fund këtë të martë në Gjykatën Rajonale të Linzit me dënime të rënda burgimi dhe gjoba marramendëse.
Austri, mashtrim në sektorin e ndërtimit, treshja nga Kosova gjunjëzon arkën e shtetit me dëm rreth 4 milionë euroDy burra dhe një grua u ulën në bankën e të akuzuarve për një sistem të mirëfilltë manipulimi që zgjati nga viti 2019 deri në fund të vitit 2024, periudhë gjatë së cilës kryen mbi 4,000 regjistrime të rreme të punëtorëve të ndërtimit nga Evropa Lindore.
Metoda e tyre ishte sa e thjeshtë aq edhe dëmtuese: i regjistronin punëtorët në kompani të ndryshme dhe menjëherë i anulonin ato regjistrime. Kjo manovër u lejoi atyre të shmangnin plotësisht pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke i shkaktuar shtetit austriak një dëm financiar që kap shifrën marramendëse prej afro 3.8 milionë eurosh.
Hetimet që çuan në zbërthimin e këtij rrjeti kishin nisur pas inspektimeve të befasishme në kantieret e ndërtimit në rajonin e Steiermark. Aty, autoritetet zbuluan punëtorë që mbanin dokumente tërësisht të falsifikuara, çka ndezi alarmin për një hetim më të gjerë. Bastisjet e mëtejshme dhe gjurmimi i transaksioneve nxorën në dritë se treshja nga Kosova ishte vetëm një pjesë e një rrjeti shumë më të madh që operonte në mënyrë sistematike në të gjithë vendin.
Procesi gjyqësor, i cili ishte paraparë të zgjaste tri ditë, u mbyll me shpejtësi që në ditën e parë me shpalljen e aktgjykimeve të formës së prerë. I pandehuri kryesor, një 41-vjeçar, u dënua me tre vjet e tre muaj burgim efektiv dhe iu konfiskuan 500,000 euro si fitim i paligjshëm.
Bashkëpunëtori i tij 39-vjeçar u dënua me 24 muaj, prej të cilëve gjashtë muaj duhet t’i vuajë në burg, si dhe iu sekuestruan 100,000 euro.Ndërsa gruaja 37-vjeçare u lirua nga të gjitha akuzat për mungesë provash, dy të dënuarit e tjerë nuk kanë shpëtuar vetëm me burg. Gjykata ka vendosur që ata duhet t’i paguajnë bashkërisht sistemit të sigurimeve shoqërore (ÖGK) shumën e plotë prej 3.8 milionë eurosh si dëmshpërblim. Ky vendim është shpallur ligjërisht i detyrueshëm, duke i dhënë fund njërës prej dosjeve më të rënda të mashtrimit ekonomik në historinë e fundit të Linzit.