Gjermani, 25-vjeçari shqiptar përfundon në burg, nuk pagoi gjobën prej 3.200 eurosh
Sipas policisë, arrestimi ka ndodhur në orët e para të së enjtes, më 15 tetor, në kufirin ndërmjet Gjermanisë dhe Holandës. Rreth orës 01:35, zyrtarët policorë kishin ndaluar për kontroll një autobus ndërkombëtar në pikën e kontrollit në vendpushimin Bentheimer Wald, përgjatë autostradës A30.
Gjatë verifikimit të dokumenteve të udhëtarëve, policia konstatoi se ndaj njërit prej pasagjerëve, shtetasit shqiptar 25-vjeçar, ekzistonte një urdhërarrest i lëshuar nga prokuroria kompetente. Nga kontrolli rezultoi se i riu ishte dënuar më parë nga gjykata për drejtim të automjetit pa patentë shoferi.
Për këtë shkelje, ai kishte një gjobë të papaguar prej 3.200 eurosh, ndërsa në rast të mospagesës duhej të vuante një dënim me burg prej gati një muaji e gjysmë.
Megjithatë, 25-vjeçari nuk kishte mundësi ta siguronte shumën e kërkuar për të shmangur burgimin. Si pasojë, pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar në institucionin më të afërt korrektues për vuajtjen e dënimit.
Rasti është bërë i ditur nga Policia Federale gjermane, e cila ka konfirmuar se arrestimi është realizuar gjatë kontrolleve kufitare të rikthyera në kufirin me Holandën. /Urgjent.com/
Përgatiti: Ardit Berisha