Itali, 30-vjeçari nga Kosova dënohet me 4 vjet e 8 muaj burg, Apeli nuk ia ndryshon dënimin
Një shtetas 30-vjeçar i Kosovës do të vazhdojë të përballet me dënimin prej katër vjetësh e tetë muajsh burg për përfshirjen e tij në përd hunimin në grup të një turisteje të huaj në Itali, pasi Gjykata e Apelit në Bolzano ka refuzuar ankesën e tij dhe ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë.
Vendimi është marrë lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur natën e 18 janarit 2023, në zonën turistike Val Gardena, ku tre punëtorë sezonalë ishin akuzuar për dhunë seksuale ndaj një turisteje të huaj.
Në mesin e të akuzuarve ishte edhe 30-vjeçari kosovar, i cili në gjykimin e shkallës së parë ishte vlerësuar se kishte pasur rol më të vogël në ngjarje krahasuar me dy personat e tjerë.
Urgjent Inc.
shitet
Për këtë arsye, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi me katër vjet e tetë muaj burg, ndërsa dy të bashkëakuzuarit, të moshave 24 dhe 29 vjeç, ishin dënuar secili me nga gjashtë vjet burg.
Të tre të akuzuarit kishin zgjedhur procedurën e gjykimit të shkurtuar, e cila, sipas legjislacionit italian, mundëson uljen e dënimit me një të tretën në rast të shpalljes fajtor.
Ndërkohë, dy të dënuarit e tjerë kishin hequr dorë nga e drejta e ankimit, duke përfituar edhe një ulje shtesë të dënimit me një të gjashtën.
Ndryshe nga ata, shtetasi kosovar kishte vendosur ta kundërshtonte vendimin e shkallës së parë, duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit në Bolzano.
Megjithatë, gjyqtarët e shkallës së dytë nuk i kanë pranuar argumentet e ankesës dhe kanë vendosur ta lënë të pandryshuar dënimin e mëparshëm.
Me këtë vendim, Gjykata e Apelit ka konfirmuar përgjegjësinë penale të 30-vjeçarit për rastin e dhunës seksuale në grup, duke ruajtur masën e dënimit prej katër vjetësh e tetë muajsh burg.
Rasti kishte ndodhur në Val Gardena, një destinacion i njohur turistik në provincën e Bolzanos, ku tre personat e përfshirë punonin si punëtorë sezonalë.
Mediat italiane nuk kanë publikuar në raportimin e fundit identitetin e shtetasit kosovar apo vendbanimin e tij në Kosovë. Po ashtu, nuk janë dhënë hollësi të reja për gjendjen e turistes së dëmtuar. /Urgjent.com/
Përgatiti: Liridona Krasniqi