Një 22-vjeçar, shtetas i Kosovës, ka mbetur i lënduar në qytetin e Nurembergut në Gjermani, pasi një 20-vjeçar gjerman dyshohet se e ka qëlluar me një pistoletë që përdor sprej piperi gjatë një përleshjeje verbale. I dyshuari është arrestuar nga policia, ndërsa arma e përdorur është sekuestruar.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 14 nëntor 2026, rreth orës 23:15, në rrugën Blumenstraße, në lagjen Gleißbühl të Nurembergut.
Sipas informacioneve të policisë gjermane, dy të rinjtë, të moshës 20 dhe 22 vjeç, fillimisht janë përfshirë në një grindje, shkaqet e së cilës ende nuk janë sqaruar.
Gjatë konfliktit, 20-vjeçari gjerman ka nxjerrë një pistoletë me sprej piperi dhe ka qëlluar në drejtim të 22-vjeçarit nga Kosova, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendngjarja me një automjet, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe lokalizimin e tij.
Pak kohë më vonë, zyrtarët policorë kanë gjetur automjetin në qendër të Nurembergut dhe kanë arrestuar 20-vjeçarin. Gjatë ndërhyrjes është sekuestruar edhe pistoleta e dyshuar se është përdorur në sulm.
Ndaj 20-vjeçarit kanë nisur procedurat penale nën dyshimin për shkaktim të lëndimeve të rrezikshme trupore. Motivi i konfliktit mbetet ende i paqartë. /Urgjent.com/