Zvicra do të votojë këtë verë për një propozim të paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e krahut të djathtë ekstrem, që synon kufizimin e popullsisë në maksimum 10 milionë banorë. Sipas kundërshtarëve, një hap i tillë rrezikon marrëveshjet kyçe me Bashkimin Evropian dhe mund t’i japë një goditje serioze ekonomisë zvicerane, shkruan “The Guardian”.
Iniciativa parasheh frenimin e rritjes së popullsisë. Kritikët paralajmërojnë se kjo mund të dëmtojë rëndë ekonominë e Zvicrës dhe marrëdhëniet me BE-në. Nëse popullsia kalon pragun e 9.5 milionë banorëve (aktualisht rreth 9.1 milionë), shteti do të ishte i detyruar të vendosë kufizime për imigracionin – përfshirë azilkërkuesit dhe bashkimin familjar.
Me arritjen e kufirit 10 milionë, masat do të ashpërsoheshin edhe më shumë, ndërsa Zvicra do të duhej të prishte marrëveshjen për lëvizjen e lirë me BE-në – partnerin e saj më të rëndësishëm tregtar.
SVP argumenton se “shpërthimi i popullsisë” po rrit kostot e qirave dhe po e rëndon sistemin publik. Në anën tjetër, shoqatat ekonomike dhe kompani gjigante si Roche, UBS dhe Nestlé paralajmërojnë se iniciativa mund të nxisë zhvendosjen e bizneseve jashtë vendit, rënie të të ardhurave tatimore dhe humbje të shërbimeve.
Një sondazh i muajit dhjetor ka treguar se 48% e qytetarëve e mbështesin iniciativën – një tregues i qartë i përçarjes së thellë në opinionin publik për çështjen e imigracionit dhe zhvillimeve demografike.