Zvicër, pas 33 vjetësh qëndrimi, kosovari rrezikon të dëbohet për mashtrim me ndihmat sociale
Një shtetas i Kosovës, i cili jeton në Zvicër që nga viti 1993 dhe është baba i katër fëmijëve, është dënuar nga Gjykata Penale e Luzernit me 15 muaj burgim me kusht dhe dëbim pesëvjeçar nga vendi, pasi u shpall fajtor për mashtrim me ndihmat sociale.
Sipas vendimit të gjykatës, familja e tij kishte përfituar rreth 46 mijë franga zvicerane ndihmë sociale pa të drejtë, duke mos deklaruar të ardhura dhe mjete të tjera financiare gjatë periudhës 2017–2022.
Familja kishte marrë ndihmë sociale me ndërprerje që nga viti 2011, ndërsa burri kishte qenë për vite të tëra i paaftë për punë për arsye shëndetësore.
Hetimet zbuluan se ai nuk kishte deklaruar pagën e bashkëshortes, dy llogari bankare, si dhe pagën dhe bursat e djalit të tij.
Mori 160 mijë franga nga sigurimi i invaliditetit, nuk i deklaroi
Një nga elementet kryesore të rastit lidhet me një pagesë prej rreth 160 mijë frangash, të cilën kosovari e kishte marrë në gusht të vitit 2020 nga sigurimi i invaliditetit në Zvicër.
Shuma përfaqësonte pagesa të prapambetura për periudhën 2012–2017, gjatë së cilës familja kishte përfituar edhe ndihmë sociale.
Sipas gjykatës, brenda tri ditëve nga pranimi i parave, ai kishte tërhequr 156.500 franga në para të gatshme.
Kur autoritetet sociale i kërkuan pasqyrën bankare, ai paraqiti një dokument të manipuluar, në të cilin nuk shfaqeshin pagesa dhe tërheqjet përkatëse.
Më vonë, kosovari kishte deklaruar se një pjesë të parave i kishte përdorur për shlyerjen e borxheve dhe shpenzime familjare, por për rreth 55 mijë franga nuk kishte paraqitur dokumente dëshmuese.
Gjykata konstatoi se për shkak të mosdeklarimit të të ardhurave, familja kishte përfituar padrejtësisht rreth 46 mijë franga ndihmë sociale, shumë të cilën autoritetet kanë kërkuar ta kthejë.
Gjykata vendos dëbimin pavarësisht 33 vjetëve në Zvicër
Gjykata Penale e Luzernit e shpalli fajtor për mashtrim të përsëritur, falsifikim dokumentesh dhe përfitim të paligjshëm të ndihmave sociale, duke i shqiptuar dënim me 15 muaj burgim me kusht, me një periudhë prove prej dy vjetësh.
Fillimisht, gjykata kishte vlerësuar se veprat penale meritonin dënim prej 22 muajsh burgim. Megjithatë, dënimi u ul për shkak të kthimit të parave me këste dhe vonesave gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore.
Përveç dënimit me kusht, gjykata vendosi edhe dëbimin e tij nga Zvicra për pesë vjet, duke përfshirë ndalimin e hyrjes në zonën Schengen.
Pavarësisht se jeton në Zvicër prej vitit 1993, ka krijuar familje dhe ka punuar në disa ndërmarrje, gjykata vlerësoi se ai nuk kishte dëshmuar një nivel të tillë integrimi që do ta justifikonte përjashtimin nga masa e dëbimit.
Legjislacioni zviceran parasheh dëbim prej pesë deri në 15 vjet për disa vepra penale, përfshirë mashtrimin me ndihmat sociale. Në raste të veçanta, gjykata mund të mos e zbatojë këtë masë nëse dëbimi shkakton pasoja jashtëzakonisht të rënda personale dhe plotësohen kushtet e tjera ligjore.
Vendimi apelohet, kosovari mund të qëndrojë në Zvicër
Mbrojtja e kosovarit ka ndërmarrë hapat për apelimin e vendimit, duke e kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Për këtë arsye, vendimi për dëbimin nuk është ende i formës së prerë dhe kosovari mund të vazhdojë të qëndrojë me familjen e tij në Zvicër derisa të merret vendimi i mëtejshëm gjyqësor.
Gjykata Kantonale e Luzernit pritet të shqyrtojë çështjen, përfshirë vlerësimin nëse qëndrimi i gjatë dhe lidhjet familjare përbëjnë arsye të mjaftueshme për të mos zbatuar dëbimin.
Rasti është bërë publik më 3 nëntor 2026, ndërsa data e saktë e shpalljes së vendimit të shkallës së parë nuk është bërë e ditur. /Urgjent.com/