You dont have javascript enabled! Please enable it! Zbulohet sa Doktorë Shqiptarë punojnë në Gjermani

Zbulohet sa Doktorë Shqiptarë punojnë në Gjermani

Mbi 500 mjekë me shtetësi të Kosovës të punësuar në spitalet gjermane

Numri i mjekëve me shtetësi të Kosovës që ushtrojnë profesionin në Gjermani ka vazhduar të rritet, duke arritur në 568 në fund të vitit 2025. Nga ta, 500 punojnë në spitale, sipas statistikave zyrtare të Dhomës Federale të Mjekëve të Gjermanisë.

Të dhënat, të cilat pasqyrojnë gjendjen më 31 dhjetor 2025, tregojnë se në Gjermani ishin të regjistruar gjithsej 611 mjekë me shtetësi të Kosovës. Prej tyre, 568 ushtronin profesionin, ndërsa 43 figuronin pa aktivitet mjekësor.

Pjesa dërrmuese e mjekëve aktivë punojnë në spitale. Konkretisht, 500 prej tyre janë të angazhuar në sektorin spitalor, 38 në shërbimet mjekësore jashtë spitaleve, përfshirë ordinancat, ndërsa 30 në fusha të tjera të veprimtarisë mjekësore.

Kjo do të thotë se rreth 88 për qind e mjekëve aktivë me shtetësi të Kosovës në Gjermani punojnë në spitale, apo pothuajse nëntë nga çdo dhjetë.

Megjithatë, një nga të dhënat më interesante të statistikave është rritja e numrit të mjekëve gjatë viteve të fundit.

Në fund të vitit 2023, në Gjermani punonin 459 mjekë me shtetësi të Kosovës. Një vit më vonë, në fund të vitit 2024, numri i tyre kishte arritur në 518, ndërsa në fund të vitit 2025 u regjistruan 568 mjekë aktivë.

Kështu, brenda vetëm dy vjetësh, numri i mjekëve që ushtronin profesionin është rritur me 109 persona, apo rreth 23,7 për qind.

Vetëm gjatë vitit 2025, krahasuar me fundin e vitit paraprak, është regjistruar një rritje prej 50 mjekësh aktivë, që përfaqëson një shtim prej 9,7 për qind.

Rritje është shënuar edhe në numrin e mjekëve që punojnë në spitale. Nga 412 në vitin 2023, numri i tyre arriti në 464 në vitin 2024 dhe në 500 në fund të vitit 2025.

Kjo paraqet një shtim prej 88 mjekësh në spitale brenda dy vjetësh.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i mjekëve të regjistruar me shtetësi të Kosovës, duke përfshirë edhe ata që nuk ushtrojnë aktivitet mjekësor, është rritur nga 489 në vitin 2023 në 611 në fund të vitit 2025.

Statistikat tregojnë se rritja e mjekëve me shtetësi të Kosovës është më e lartë se rritja e përgjithshme e numrit të mjekëve të huaj në Gjermani.

Sipas Bundesärztekammer, gjatë vitit 2025 numri i mjekëve aktivë me shtetësi të huaj në Gjermani është rritur me rreth 5 për qind, duke arritur në 71.480.

Kjo do të thotë se rritja prej 9,7 për qind e mjekëve aktivë me shtetësi të Kosovës ishte pothuajse dyfish më e lartë se rritja e përgjithshme e mjekëve të huaj.

Në fund të vitit 2025, Gjermania kishte gjithsej 446.120 mjekë profesionalisht aktivë. Prej tyre, rreth 16 për qind nuk kishin shtetësi gjermane.

Megjithatë, shifrat për Kosovën nuk e përfaqësojnë domosdoshmërisht numrin e përgjithshëm të mjekëve me prejardhje nga Kosova që punojnë në Gjermani.

Bundesärztekammer i klasifikon mjekët e huaj sipas shtetësisë. Për këtë arsye, mjekët me prejardhje nga Kosova që ndërkohë kanë marrë shtetësinë gjermane nuk identifikohen si shtetas të Kosovës në këto statistika.

Po ashtu, të dhënat nuk tregojnë se në cilin shtet e kanë përfunduar shkollimin apo ku e kanë marrë diplomën këta mjekë.

Kjo do të thotë se numri real i mjekëve me prejardhje nga Kosova që ushtrojnë profesionin në Gjermani mund të jetë më i lartë se 568.

Statistikat zyrtare tregojnë megjithatë një rritje të vazhdueshme të numrit të mjekëve me shtetësi të Kosovës në sistemin shëndetësor gjerman, veçanërisht në sektorin spitalor, ku në fund të vitit 2025 punonin 500 prej tyre. /Urgjent.com/

Përgatiti: Nazlie Jakupi