Një ngjarje e rëndë është zbardhur në fshatin Godvi të Bulqizës, në Shqipëri, ku një burrë humbi jetën në rrethana që fillimisht u raportuan si sulm nga një ari. Megjithatë, hetimet policore kanë zbuluar se viktima ishte vrarë me armë zjarri.
Sipas Policisë së Dibrës, pas hetimeve dhe ekzaminimeve mjekoligjore, janë arrestuar bashkëshortja 57-vjeçare dhe djali 33-vjeçar i viktimës, të cilët dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë vrarë atë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Fillimisht, familjarët kishin deklaruar se burri ishte sulmuar nga një kafshë e egër, por rezultatet e ekspertizës kanë hedhur poshtë këtë version të ngjarjes.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar një pistoletë me fishekë dhe një gëzhojë, e cila është gjetur në oborrin e banesës.
Materialet e rastit i janë dorëzuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, të kryera në bashkëpunim. /PodujevaSot