Martesa dikur konsiderohej një vendim për të gjithë jetën, ndërsa shkurorëzimi ishte një dukuri e rrallë, shpesh e heshtur dhe e rrethuar me paragjykime.
Sot kjo tablo po ndryshon. Ndarja ligjore është bërë gjithnjë e më e pranishme në shoqëri, ndërsa çiftet që vendosin t’i japin fund martesës nuk janë më një përjashtim i pazakontë. Këtë realitet e pasqyrojnë edhe të dhënat zyrtare.
Vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, në Gostivar janë regjistruar 21 shkurorëzime, ndërsa në të njëjtën periudhë janë lidhur 56 martesa. Kjo do të thotë se në çdo të tretën martesë të regjistruar figuron edhe një ndarje.
Por këto dy shifra nuk duhet të vendosen drejtpërdrejt përballë njëra-tjetrës, pasi shkurorëzimet e regjistruara gjatë kësaj periudhe mund t’ju përkasin martesave që kanë zgjatur prej vitesh. Në të kaluarën, ndarja e një çifti shpesh shihej si një ngjarje e pazakontë dhe e rëndë për familjen.
Presioni shoqëror, paragjykimet dhe frika nga reagimi i rrethit shpesh i mbanin çiftet në martesa që nuk funksiononin. Sot qëndrimi ndaj martesës dhe ndarjes ka ndryshuar. Për shumë çifte, vazhdimi i një marrëdhënieje jo të shëndoshë nuk shihet më si detyrim vetëm për hir të opinionit të të tjerëve. Shkurorëzimi është bërë një mundësi ligjore dhe sociale për t’i dhënë fund të gjitha marrëdhënieve që nuk funksionojnë. Edhe statistikat në nivel të vendit tregojnë se martesa vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e jetës familjare, por numri i kurorëzimeve është në rënie.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 2,732 martesa, apo 2.2% më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 406 shkurorëzime. Këto të dhëna nuk mjaftojnë për të thënë se martesat po përfundojnë më shpejt apo se çdo martesë e re është e rrezikuar nga ndarja, por është fakt i pamohueshëm se çdo e treta martesë po rrezikohet nga divorci.