Këngëtarja e njohur Egli Tako ka habitur fansat e saj me një lajm të papritur në rrjetet sociale.
Përmes një postimi në kanalin e saj në Instagram, Egli njoftoi se kanali muzikor ku ndjekësit e kanë ndjekur prej vitesh, nuk është më në pronësinë e saj.
“Ky kanal nuk është më i imi, mund të bëni unsubscribe lirisht,” – shkruan ajo, duke falënderuar publikun për mbështetjen e pandërprerë ndër vite.
Në postimin e gjatë dhe plot mirënjohje, Egli sqaroi se nuk do të ketë më asnjë aktivitet që lidhet me emrin e saj në atë kanal, ndërsa paralajmëroi hapjen e një kanali të ri, ku do publikojë këngët dhe projektet e reja:
“Deri në hapjen e një kanali të ri mbi projektet e mia muzikore, po ju dërgoj një përqafim të madh dhe ju dua shumë!”
Ky njoftim erdhi në një moment kur këngëtarja po përgatitet për rikthimin e saj muzikor, duke lënë të kuptohet se shumë shpejt do të vijë me materiale të reja.
Fansat kanë shpërthyer në komente mbështetëse, duke e përgëzuar për sinqeritetin dhe transparencën e saj.
