Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në qytetin e Mynihut në Gjermani, ku një tramvaj i drejtuar nga një 31-vjeçare nga Kosova është përplasur me një të ri që po lëvizte me skuter elektrik. Si pasojë e përplasjes, 24-vjeçari nga Serbia ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar në spital për trajtim mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 6 nëntor 2026, rreth orës 12:40, në rrugën Landsberger Straße, në lagjen Schwanthalerhöhe të Mynihut, pranë kryqëzimit me rrugën Bergmannstraße.
Sipas informacioneve të Policisë gjermane, 24-vjeçari nga Serbia po tentonte të kalonte rrugën në një vendkalim për këmbësorë me skuterin e tij elektrik, në momentin kur po afrohej tramvaji që lëvizte në drejtim të qendrës së qytetit.
Tramvaji drejtohej nga një grua 31-vjeçare nga Kosova, e cila, sipas Policisë, e kishte vërejtur drejtuesin e skuterit elektrik dhe kishte aktivizuar sinjalet paralajmëruese përpara se të fillonte frenimin emergjent.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të shoferes për të shmangur aksidentin, tramvaji është përplasur me skuterin elektrik. Nga goditja, 24-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa skuteri i tij është shkatërruar plotësisht.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e emergjencës, të cilat i kanë
ofruar ndihmën e parë të lënduarit dhe më pas e kanë transportuar
në spital. Si pasojë e aksidentit, rruga Landsberger Straße dhe linja
e tramvajit janë mbyllur përkohësisht, duke shkaktuar pengesa dhe
vonesa në qarkullim.
Policia e Trafikut në Mynih ka nisur hetimet për të përcaktuar
rrethanat e aksidentit. Autoritetet kanë konfirmuar se shoferja e
tramvajit kishte ndërmarrë frenim emergjent, por ende nuk është
sqaruar përse nuk ishte arritur të shmangej përplasja. Deri më tani,
nuk është bërë i ditur ndonjë përfundim hetimor për përgjegjësinë
në këtë aksident. /Urgjent.com/