Tragjedi në Austri: 19-vjeçari Shqiptar humb jetën në një aksident të rëndë me një kamion
Një 19-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku që ndodhi herët në mëngjesin e së shtunës në Alkoven, në distriktin Eferding të Austrisë.
Sipas raportimeve, i riu, i cili jetonte në Eferding, ishte duke shkuar në punë rreth orës 07:00, kur për arsye ende të panjohura ka kaluar në korsinë e kundërt në rrugën Eferdinger Straße (B129).
Në atë moment, ai është përplasur ballë për ballë me një kamion që drejtohej nga një 63-vjeçar.
Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që 19-vjeçari të mbetet i bllokuar brenda veturës së tij të shkatërruar.
Një mjek që ndodhej rastësisht në vendngjarje i ka dhënë ndihmën e parë menjëherë dhe ka aktivizuar shërbimet emergjente. Në vend kanë intervenuar edhe njësitet e zjarrfikësve nga Polsing dhe Alkoven, të cilët kanë arritur ta nxjerrin të riun nga automjeti.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e aksidentit.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe një kushëri i viktimës, i cili ka njoftuar familjen. Për familjarët është ofruar mbështetje psikologjike nga ekipet e ndërhyrjes në krizë.
Ndërkohë, shoferi i kamionit ka pësuar tronditje si pasojë e aksidentit.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike. /Urgjent.com/