You dont have javascript enabled! Please enable it! Të dënuarit mund të falen nga Presidenti, detaje nga Projektligji

Të dënuarit mund të falen nga Presidenti, detaje nga Projektligji

Partia Demokratike Kosovës ka ndërmarrë një iniciativë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës. Ky veprim është ndërmarrë pas vendimit të Speciales për dënimin e ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Gazeta Express

Në Projektligjin e siguruar nga Gazeta Express, një prej ndryshimeve themelore që propozohet është lartësia e dënimit maksimal nga Dhomat e Specializuara e që sipas ndryshimit saktësohet deri në 15 vjet burg.

Në Nenin 15 të këtij Projektligji thuhet se Neni 44, paragrafi 1 i Ligjit për Dhomat e Specializuara zëvëndësohet me tekstin në vijim.

“Dhomat e Specializuara mund t’i shqiptojnë personit të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, në përputhje me parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm (lex mitior).“, thuhet në Nenin 15 të Projektligjit.

Në Nenin vijues të Projektligjit thuhet se dënimi i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës vuhet në territorin e Republikës së Kosovës.

“Neni 50 i Ligjit Nr. 05/L-053 ndryshohet si në vijim:

“Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Institucioni konkret korrektues caktohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, kushtet e sigurisë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar.“”, thuhet në dokumenin e siguruar nga Gazeta Express.

Një element tjetër në Projektligj është çështja e faljes nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Sipas ndryshimeve të propozuara nga PDK, personat që janë subjekt i aktgjykimeve të formës së prerë të Dhomave të Specializuara të Kosovës mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

“Neni 51 i Ligjit Nr. 05/L-053 ndryshohet si në vijim:

“Pavarësisht dispozitave të Ligjit nr. 03/L-101 për Faljen, personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Kriteret, kushtet dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin nr. 03/L-101 për Faljen zbatohen edhe për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara.“”, thuhet tutje në Projektligjin e propozuar nga PDK.