Talent futbolli nga Çegrani në Zvicër – Flamur Ademi pjesë e St. Gallen U15
Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare. Flamur Ademi, një talent i ri me prejardhje nga Çegrani i Gostivarit, po bën hapa të sigurt në futbollin zviceran, duke u bërë pjesë e ekipit U15 të FC St. Gallen.
Flamuri, djali i Jetmir Ademit, luan në pozitën e mesfushorit defensiv dhe konsiderohet një nga talentet premtues në moshat e reja. Ai hapat e parë në futboll i ka nisur që në moshën 6-vjeçare në klubin FC Kreuzlingen, ku tregoi menjëherë potencialin e tij.
Falë përkushtimit dhe talentit, ai tërhoqi vëmendjen e mbikëqyrësve të St. Gallen, të cilët e përfshinë në procesin zhvillimor. Për dy vite me radhë, Flamuri ka ushtruar edhe në FC Bürglen, duke e përforcuar më tej formën dhe përvojën e tij në fushë.
Pas këtij rrugëtimi, ai u përzgjodh si një talent i vlefshëm dhe tashmë është pjesë e strukturave të FC St. Gallen, një klub me traditë në futbollin zviceran.
Ky është një sukses i rëndësishëm jo vetëm për Flamurin dhe familjen e tij, por edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe vendlindjen e tij, Çegranin, që vazhdon të nxjerrë talente të rinj në sport.