Të nderuar bashkatdhetarë,
Ju njoftojmë se ka filluar Programi Online për mësimin e gjuhës shqipe, i dedikuar për fëmijët që jetojnë jashtë atdheut.
Qëllimi i këtij programi është ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare, si dhe forcimi i lidhjes së fëmijëve me kulturën dhe identitetin kombëtar. Mësimi është i përshtatshëm për të gjitha nivelet: nga fillestarët që nuk e njohin gjuhën shqipe, deri te nxënësit e avancuar që dëshirojnë të përmirësojnë shkrimin dhe ligjërimin e tyre.
Objektivat e programit:
• Përvetësimi i alfabetit shqip dhe leximi i saktë
• Pasurimi i fjalorit dhe zhvillimi i komunikimit të përditshëm
• Njohja me historinë, gjeografinë dhe traditat shqiptare
Mësimi do të zhvillohet çdo javë, me nga 2 orë mësimore, përmes platformës Zoom / Google Meet.
Programi është i hapur për fëmijët e moshës 6 deri në 15 vjeç.
Për regjistrim, ju lutemi të paraqiteni në email:
info@minisel.gov.mk
Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje shoqatave dhe organizatave të mërgimtarëve për bashkëpunim. Jemi të hapur për koordinim, promovim të përbashkët dhe organizim të aktiviteteve që ndihmojnë në përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në këtë program arsimor. Bashkëpunimi juaj është i mirëpritur dhe i çmuar për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Ju mirëpresim të bëheni pjesë e kësaj nisme.
Me respekt,
Fatlum Jusufi