VAZHDOJNË PUNIMET TE SHËTITORJA PËRGJATË LUMIT VARDAR NË GJATËSI PREJ 850 METRASH
Komuna e Gostivarit ka njoftuar fillimin e punimeve për vazhdimin e shëtitores përgjatë lumit Vardar, në një gjatësi prej 850 metrash.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës, ndërhyrja përfshin ndërtimin e segmentit të ri të shëtitores, me qëllim zgjerimin e hapësirave rekreative dhe përmirësimin e infrastrukturës për këmbësorët. Projekti synon të krijojë kushte më të mira për lëvizje dhe rekreacion për qytetarët.
Përveç ndërtimit të shtegut, projekti parasheh edhe gjelbërimin e zonës përreth me mbjelljen e drunjve të rinj, duke kontribuar në përmirësimin e ambientit dhe rritjen e hapësirave të gjelbra në qytet.
Nga komuna theksojnë se investimi është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rregullimin dhe funksionalizimin e hapësirave publike, me fokus në ngritjen e cilësisë së jetesës për banorët e Gostivarit.