Hava Miftari nga fshati Çajlë i Gostivarit ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik, duke përfunduar me sukses studimet e doktoraturës në Universitetin “Shën Kliment Ohridski” në Manastir, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Teknologjike në Veles.
Ajo ka fituar titullin “Doktore e shkencave tekniko-teknologjike” në fushën e teknologjive inovative për ushqim dhe nutricion, duke u renditur ndër studiueset e reja që kontribuojnë në zhvillimin e shkencës dhe industrisë ushqimore.
Disertacioni i saj me titull “Dinamika mikrobiale dhe karakterizimi i baktereve autoktone të acidit laktik në djathin e bardhë të dhisë, të prodhuar në mënyrë tradicionale në shëllirë” trajton në mënyrë të detajuar rolin e mikrobiotës në formësimin e cilësisë, sigurisë dhe veçorive funksionale të produkteve tradicionale. Ky hulumtim paraqet një kontribut të vlefshëm në ruajtjen dhe përmirësimin e produkteve autentike ushqimore.
Mentore e punimit ishte Prof. dr. Daniela Nikolovska Nedelkoska, ndërsa anëtarë të komisionit vlerësues ishin: Prof. dr. Tatjana Kalevska, Prof. dr. Tatjana Blazevska, Prof. dr. Vezirka Jankuloska dhe Prof. dr. Ismail Ferati.
Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme personale për Hava Miftarin, por edhe një motivim për të rinjtë nga rajoni që të ndjekin rrugën e arsimit dhe kërkimit shkencor.