Një shtetas 38-vjeçar i Kosovës është arrestuar nga Policia sllovene, pasi dyshohet se po transportonte tetë migrantë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Sllovenisë. I dyshuari është ndaluar në zonën e Slovenska vas, ndërsa automjeti i tij, i tipit Opel Zafira, është sekuestruar nga autoritetet policore.
Sipas raportimeve rasti është zbuluar gjatë kontrolleve të zhvilluara nga zyrtarët e Njësisë Policore për Masa Kompensuese.
Gjatë patrullimit në zonën e Slovenska vas, policët kanë ndaluar për kontroll një automjet Opel Zafira, të cilin po e drejtonte një shtetas 38-vjeçar i Kosovës.
Pas kontrollit të automjetit, Policia ka konstatuar se brenda tij ndodheshin tetë shtetas të huaj, të cilët, sipas autoriteteve, kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Slloveni.
Nga tetë personat e gjetur në automjet, pesë ishin shtetas të Bangladeshit, dy të Turqisë dhe një i Afganistanit. Në raportim nuk janë dhënë hollësi për moshën e tyre apo destinacionin e udhëtimit.
Pas zbulimit të rastit, zyrtarët policorë kanë arrestuar 38-vjeçarin nga Kosova dhe kanë sekuestruar automjetin që dyshohet se përdorej për transportimin e migrantëve.
Sipas Policisë sllovene, ndaj të dyshuarit do të paraqitet kallëzim penal për veprën e kalimit të paligjshëm të kufirit ose territorit shtetëror dhe ai pritet të dërgohet para gjyqtarit hetues. Ndërkohë, procedurat policore ndaj tetë shtetasve të huaj ishin ende në zhvillim në kohën e publikimit të njoftimit. Kosovari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor. /Urgjent.com/