You dont have javascript enabled! Please enable it! Si duket pagesa e gjobave për turistët në kufij: Nuk pranohet kesh, mund t’ju marrin pasaportën, 50% ulje…

Si duket pagesa e gjobave për turistët në kufij: Nuk pranohet kesh, mund t’ju marrin pasaportën, 50% ulje…

Turistët e huaj që kthehen nga pushimet përmes Maqedonisë po përballen me risi në pikën kufitare Tabanovcë.

Sistemi “Safe City”, i cili regjistron shkeljet e qarkullimit përmes kamerave të vendosura në autostrada nëpër Maqedoni, nga 19 gushti filloi të zbatohet edhe për automjetet e huaja.

Këto ditë media të shumta nga vendet fqinje publikuan përvojat e shoferëve që u ndalën në kufi për tejkalim shpejtësie dhe tregojnë se si funksionon saktësisht sistemi, përcjell Pa Censurë.

Nuk pranohet para në dorë:
Policia kufitare në sportele nuk pranon fare cash. Gjoba paguhet vetëm me kartë pagese.

Pasaporta mbahet
Polici kufitar merr vetëm pasaportën e pronarit të automjetit dhe e kthen pasi transaksioni të përfundojë me sukses.

Zbritje 50%
Meqenëse gjoba paguhet menjëherë në kufi, shuma zvogëlohet automatikisht me 50 për qind.

Proces-verbali vjen me e-mail:
Nuk lëshohet proces-verbal në letër për shkeljen. Shoferët në vend e diktojnë e-mailin e tyre, ku më pas u vjen automatikisht njoftimi nga MIA.

Pagesë dhe kontroll përmes internetit
MIA u mundësoi të gjithë shoferëve të huaj të kontrollojnë dhe të paguajnë eventualisht gjobat edhe online, përmes aplikacionit zyrtar në ueb (safecountry.mvr.gov.mk).

Ku janë vendosur kamerat dhe cilat janë tolerancat?
Kamerat janë të vendosura përgjatë Korridorit 10, të cilin e përdorin më shpesh turistët serbë në rrugën drejt Greqisë.

Disa nga vendet ku duhet treguar kujdes janë para daljes për Shkup, te vendi i pushimit “Bastion Plaza”, pas daljes për Veles, si dhe në urat para pikës Bogorodica.

Përveç shpejtësisë, sistemi regjistron edhe kalimin në dritë të kuqe, parkim të parregullt dhe regjistrim të skaduar.

Për shpejtësinë ka edhe një tolerancë të caktuar:
Me kufizim 50 km/h, gjoba jepet për shpejtësi mbi 60 km/h, ndërsa me kufizim 100 km/h sistemi “Safe City” reagon për shpejtësi nga 113 km/h e lart.

Apeli për të gjithë shoferët që kalojnë tranzit nëpër vend është të përshtatin shpejtësinë dhe para se të mbërrijnë në pikën kufitare të përgatisin një kartë pagese me mjete të mjaftueshme, për të shmangur ndalime shtesë.