Shifra alarmante: Gostivari po shuhet – më pak lindje, më shumë vdekje
Gostivari dhe fshatrat përreth po përballen me një realitet demografik shqetësues. Të dhënat zyrtare nga librat amë për vitin 2025 tregojnë rënie të ndjeshme të lindjeve dhe kurrorëzimeve, ndërsa numri i vdekjeve shënon rritje, duke thelluar më tej bilancin negativ demografik.
Lindjet në rënie të vazhdueshme
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 920 lindje në Gostivar dhe vendbanimet që i takojnë komunës (Zdunjë, Banjicë e Epërme dhe e Poshtme, Çajle, Bellovisht, Turçan i Vogël, Llakavicë etj.).
Nga ky numër, 365 fëmijë kanë lindur në spitalin e qytetit, ndërsa 555 regjistrime u përkasin personave të lindur jashtë shtetit.
Krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar 1024 lindje (423 në spital dhe 601 jashtë shtetit), viti 2025 shënon një rënie prej 104 regjistrimesh, si te lindjet në spital ashtu edhe te ato jashtë vendit.
Vdekjet në rritje
Në librat e vdekjes për vitin 2025 janë regjistruar 487 raste, prej të cilave 41 persona kanë vdekur jashtë shtetit, ndërsa 446 vdekje kanë ndodhur në spitalin e qytetit ose në kushte shtëpiake.
Në krahasim me vitin 2024, kur ishin regjistruar 474 vdekje, gjatë vitit 2025 kemi një rritje prej 13 rasteve, duke e rënduar edhe më tej situatën demografike.
Më pak martesa, më shumë shkurorëzime
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 428 kurrorëzime, prej të cilave 325 janë lidhur në Gostivar, ndërsa 103 jashtë shtetit.
Në raport me vitin 2024, kur numri i kurrorëzimeve ishte 440, vërehet një rënie prej 12 regjistrimesh.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 96 shkurorëzime, që përfshijnë martesa të lidhura si gjatë këtij viti, ashtu edhe në vitet paraprake.
Bilanc negativ demografik
Kombinimi i rënies së lindjeve dhe kurrorëzimeve me rritjen e vdekjeve po dërgon sinjale alarmante për të ardhmen e Gostivarit. Këto shifra dëshmojnë qartë se qyteti dhe rrethina po përballen me një proces të heshtur shpopullimi, i cili kërkon vëmendje dhe masa urgjente institucionale.