You dont have javascript enabled! Please enable it! Rrugëtimi i Mërgimtarit drejt ndërtimit të një biznesi të suksesshëm në Gjermani, pune e palodhur dhe suksesi i ndërtuar me vite përkushtimi

Rrugëtimi i Mërgimtarit drejt ndërtimit të një biznesi të suksesshëm në Gjermani, pune e palodhur dhe suksesi i ndërtuar me vite përkushtimi

Rrugëtimi i Sami Muhadrit drejt ndërtimit të një biznesi të suksesshëm në Gjermani

Një histori emigrimi, pune të palodhur dhe suksesit të ndërtuar me vite përkushtimi

Sami Muhadri, me origjinë nga Demjani i Hasit të Gjakovës, përfaqëson një histori të veçantë emigrimi dhe këmbënguljeje, e cila dëshmon se puna e vazhdueshme dhe vullneti i fortë mund të shndërrohen në sukses të qëndrueshëm profesional dhe biznesor.

Rrugëtimi i tij drejt Gjermanisë nisi në një moshë shumë të re. I detyruar të largohej nga Kosova, në moshën 15-vjeçare ai mori rrugën e kurbetit drejt Malit të Zi. Më 1995, vetëm 17 vjeç, së bashku me kushëririn e tij Ismet Muhadri, u nis drejt Gjermanisë. Fillimet e tij u shoqëruan me sfida të mëdha, duke punuar në kushte të vështira dhe me paga minimale.
Në vitin 1996, ai filloi punën si bukëpjekës në Asperg, duke hyrë në një profesion që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës së tij. Një vit më vonë, në tetor 1997, pas ndërhyrjes së autoriteteve gjermane në vendin e punës, ai u detyrua të kthehej në Kosovë. Megjithatë, vendosmëria e tij nuk u ndal. Në dhjetor të po atij viti, ai u rikthye në Gjermani përmes një udhëtimi të vështirë dyjavor nëpër disa shtete evropiane, në një periudhë kur lëvizja ishte veçanërisht e ndërlikuar.

Në vitet në vijim, Sami Muhadri punoi në furra të ndryshme, duke ndjekur një traditë të njohur familjare dhe të rajonit të Hasit. Në vitin 1998 u vendos në Stuttgart, ku vazhdoi punën në disa ndërmarrje, shpesh edhe pa dokumentacion të rregullt. Në vitin 2003 u fejua me Ganimete Sefsaliu dhe nisi procesin për rregullimin e statusit të tij. Pas një qëndrimi të përkohshëm në Kosovë në vitin 2004, ai arriti të pajisej me dokumente të rregullta në vitin 2005, duke u rikthyer më pas në Gjermani për të vazhduar jetën dhe punën e tij. Sot, ai së bashku me bashkëshorten Ganimeten menaxhon biznesin familjar dhe janë prindër të katër fëmijëve.

Për më shumë se dy dekada, ai punoi në sektorin e furrave të bukës, duke ruajtur synimin për të hapur biznesin e tij. Ky objektiv u realizua më 1 maj 2022, kur hapi furrën e parë në Stuttgart me emrin “Balkan Bäckerei”.

Zgjerimi i aktivitetit të tij vazhdoi më 1 qershor 2024, kur bleu një furrë ekzistuese gjermane, duke marrë edhe shumicën e stafit. Ky biznes sot funksionon me emrin “Stadtbäckerei Markgröningen”, një emër me rëndësi të veçantë për të, pasi aty kishte punuar për rreth tetë vite dhe e kishte konsideruar gjithmonë si një objektiv profesional.
Rritja e ndërmarrjes së tij vazhdoi edhe më tej. Më 1 qershor 2025, Sami Muhadri hapi edhe një furrë të dytë me të njëjtin emër në Markgröningen. Në kuadër të aktivitetit të tij biznesor, ai ka zhvilluar disa takime edhe me kryetarin e qytetit të Markgröningen, Jens Hübner, ku ndodhet edhe pjesa më rëndësishme e biznesit të tij.
Aktualisht, bizneset e tij punësojnë 22 punëtorë, duke dëshmuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe menaxhim të suksesshëm. Në shtator të vitit 2024, ai vendosi të shesë furrën e parë në Stuttgart, me qëllim përqendrimin në zgjerimin dhe forcimin e aktivitetit ekzistues.

Historia e Sami Muhadrit mbetet një shembull domethënës i sfidave dhe arritjeve të emigrantëve shqiptarë në diasporë, duke dëshmuar se përkushtimi, sakrifica dhe vizioni afatgjatë janë elementë kyç të suksesit në biznes dhe jetë.