You dont have javascript enabled! Please enable it! Përse shqiptarët në Zvicër paguajnë 61% më shumë për sigurimin e makinës?

Përse shqiptarët në Zvicër paguajnë 61% më shumë për sigurimin e makinës?

Në mediat zvicerane është folur shpesh për çmimet e fryra që kompanitë e sigurimeve të automjeteve u vendosin të huajve, sidomos kosovarëve.

Një studim i fundit i realizuar nga portali i krahasimeve online “Comparis” ka vërtetuar me fakte se diskriminimi në këtë fushë është real dhe i pranishëm.

Rezultatet tregojnë se shoferët nga Ballkani dhe Turqia paguajnë dukshëm më shumë, pasi çdo kompani sigurimi ka përcaktuar “shkallën e rrezikut” sipas kombësisë së klientit.

Mund të mos keni shkaktuar kurrë ndonjë aksident, por sërish do të detyroheni të paguani dyfish për sigurimin e makinës vetëm pse mbani një pasaportë “të gabuar”, siç shkruan blick.ch..

Sipas “Comparis.ch”, të huajt në Zvicër shpesh paguajnë më tepër jo vetëm krahasuar me zviceranët, por edhe me disa shtetas të huaj të tjerë.

Shembujt janë domethënës: shoferët nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Turqia përballen me tarifa që në raste ekstreme arrijnë deri në 89% më shumë (te kompanitë si “Basler” apo “Police Baloise Direct M”) ose 88% më shumë (TCS, produkti M). Edhe pronarët e makinave nga Portugalia dhe Italia paguajnë dukshëm më shtrenjtë se vendësit.

Pra, edhe pa aksidente, si i huaj do të paguani më tepër.

Ekspertja e mobilitetit në “Comparis”, Andrea Auer, shpjegon: “Sigurimi bazohet në solidaritetin e rrezikut. Për të llogaritur preminë përdoren statistikat, të cilat përcaktojnë probabilitetin e dëmit”. Megjithatë, ajo shton: “Edhe një shofer pa aksidente vlerësohet sipas kombësisë dhe paguan më shumë. Diferencat e mëdha mes kompanive lidhen me mënyrën se si ato interpretojnë faktorët e përkatësisë nacionale”.

Një shembull konkret: një sigurim i plotë (Vollkasko) te Zürcher Versicherung kushton 887 franga në vit për një pasaportë zvicerane, ndërsa për një pasaportë turke çmimi rritet me 65% dhe kalon mbi 1.400 franga. Te kompania “Axa” diferenca shkon deri në 71%.

Situata bëhet edhe më absurde: nëse te kompania “Helvetia” shënon kombësinë “Turqi” në vend të “Zvicër”, nuk merr fare ofertë – siç ka konstatuar “Comparis” në testimet e saj.

Megjithatë, ka një përjashtim. Kompania e sigurimeve “Generali” ofron të njëjtat tarifa për të gjithë, pa dallim kombësie. Sipas “Comparis”, kjo është e vetmja kompani në analizë që nuk përdor modelin “bonus malus” për të penalizuar të huajt.Studimi është bazuar mbi 232.553 oferta online, duke krahasuar 14 lloje makinash, 12 kombësi (përfshirë Zvicrën) dhe 79 vendbanime në territorin zviceran.