You dont have javascript enabled! Please enable it! Njihuni me Shqiptarin që dje fitoi Zgjedhjet në Amerikë

Njihuni me Shqiptarin që dje fitoi Zgjedhjet në Amerikë

Nga Tirana në politikën amerikane! Kush është Joe Hoxha, shqiptari që fitoi zgjedhjet e SHBA-së

Shqiptaro-amerikani Joe Hoxha ka siguruar një mandat të tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut-it, pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I lindur në Tiranë dhe i rritur në SHBA, Hoxha ishte i vetmi nga gjashtë kandidatët me origjinë shqiptare që rezultoi fitues sipas të dhënave paraprake të publikuara më 4 nëntor.

Republikani fitoi një garë të ngushtë për Distriktin e 78-të përballë demokratit Nate Brown. Sipas rezultateve jozyrtare, Hoxha siguroi 4,585 vota, ose 50.91%, kundrejt 4,421 votave të rivalit të tij, duke fituar me një diferencë prej vetëm 164 votash. Fitorja i mundëson atij të vazhdojë përfaqësimin e zonave Bristol dhe Plymouth në legjislaturën e Connecticut-it.Por kush është Joe Hoxha?

Joe Hoxha lindi në Tiranë dhe u largua drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, kur ishte vetëm tre vjeç e gjysmë. Familja e tij u vendos në Bristol, Connecticut, në kërkim të mundësive për një jetë më të mirë.

Prindërit e tij fillimisht punuan në vende pune me paga minimale, përpara se të siguronin punësim në sektorin e prodhimit industrial. Hoxha u rrit në një familje punëtore në lagjen West End të Bristolit, ku ndoqi edhe shkollën.

Më pas ai studioi në Universitetin e Connecticut-it, ku u diplomua në Shkenca Politike dhe Sociologji.

Lexo edheTrump humbi zgjedhjet e mesmandatit, reagon Irani: Amerikanët i thanë ‘JO’ luftës

Interesi për politikën e shoqëroi që në rini. Pas përfundimit të studimeve, Hoxha u angazhua në fushata elektorale të kandidatëve republikanë në disa shtete amerikane, përfshirë Teksasin, Virxhinian, New Hampshire-in dhe Misurin.

Në vitin 2017, ai drejtoi një fushatë të suksesshme të republikanëve në zgjedhjet vendore të Plymouth-it. Dy vite më vonë nisi të punonte në sektorin financiar, në një bankë lokale, duke vijuar paralelisht angazhimin politik. Hoxha u zgjodh për herë të parë në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it në vitin 2022, duke marrë detyrën në janar 2023. Ai u rizgjodh në vitin 2024 dhe tashmë, me fitoren e nëntorit 2026, siguron mandatin e tretë.

Gjatë aktivitetit të tij politik, Hoxha është angazhuar në çështje që lidhen me ekonominë, taksat, sigurinë publike, arsimin dhe mbështetjen e bizneseve. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e komisioneve parlamentare për buxhetin, bankat, administratën publike dhe zgjedhjet. Pavarësisht se është rritur në Shtetet e Bashkuara, Hoxha ka ruajtur lidhjet me vendlindjen. Në intervista të mëparshme ai ka treguar se është kthyer disa herë në Shqipëri dhe ka folur për rëndësinë e angazhimit të brezave të rinj shqiptarë në zhvillimin e vendit. Fitorja e tij në Connecticut vjen në një kohë kur kandidatët e tjerë shqiptaro-amerikanë nuk arritën të siguronin fitore në garat e tyre./dritare.net