Nga një makinë me qira, në gjigantin e ndërtimit: Historia e suksesit të vëllezërve Orllati në Zvicër
Në vitin 1995, Avni dhe Basri Orllati hodhën themelet e biznesit të tyre duke marrë me qira vetëm një makinë thyerëse betoni. Sot, “Orllati SA” është një emër prestigjioz që punëson rreth 900 punonjës dhe zotëron mbi 1,000 makineri të rënda ndërtimi.
Avni Orllati, njeriu që i dha emrin kompanisë së njohur me selë në Lozanë, drejton së bashku me vëllezërit e tij një gjigant të vërtetë në industrinë e ndërtimit dhe rrënimit (démolition). Me një qarkullim vjetor prej 400 milionë frangash dhe përfshirje në projekte me vlerë investimi mbi 1 miliard franga zvicerane, grupi është kthyer në një shtyllë të ekonomisë vendase.
Rrënjët dhe fillimet
Si themelues dhe strateg i grupit, Avniu mbetet aktiv në kantieret e mëdha dhe në sektorin e patundshmërive. Ai e rrëfen suksesin e tij pa i harruar kurrë rrënjët shqiptare nga Kosova, ku jetoi 15 vitet e para të jetës. Pak vite pas mbërritjes në Zvicër, ai guxoi të blinte me leasing makinën e tij të parë, një nisje modeste që do të shndërrohej në një histori frymëzuese për mediat zvicerane.
Ndër 30 migrantët më të suksesshëm në historinë e Zvicrës
Revista prestigjioze financiare zvicerane “Bilanz” e përfshiu Avni Orllatin në listën e 30 migrantëve që, që nga periudha e revolucionit industrial, kanë krijuar ndërmarrje me ndikim monumental në Zvicër. Në këtë listë, ku bëjnë pjesë themelues të kompanive multinacionale, emri i shqiptarit nga Kosova spikat si një sipërmarrës me influencë të jashtëzakonshme, veçanërisht në Zvicrën frankofone.
Në vitin 2020, atij iu nda çmimi i lartë “EY Sipërmarrësi i Vitit” në kategorinë “Industri / High Tech / Life Sciences”, duke u vlerësuar për vizionin dhe guximin në biznes.
Zhvillimi i Grupit “Orllati SA”
Rrugëtimi mori hov të ri në vitin 1997, kur vëllezërve u bashkohet edhe vëllai tjetër, Gjevgjeti. Në vitin 2012, kompania u transformua në Grupin “Orllati SA”. Deri më sot, ata kanë realizuar mbi 1,000 objekte ndërtimi në të gjithë Zvicrën, duke u specializuar veçanërisht në “ndërtimin e gjelbër” dhe punët përgatitore ndërtimore.
Një model integrimi dhe suksesi ekonomik
Përfaqësues të lartë të biznesit në Zvicër e shohin familjen Orllati si një aset për vendin:
Christophe Reymond (Drejtor i Centre Patronal): “Orllati ka kontribuar jo vetëm në imazhin pozitiv të kosovarëve, por edhe në zhvillimin ekonomik të kantonit Vaud dhe gjithë Zvicrës.”
Pierre-Marcel Favre: “Jemi me fat që kemi një kompani kolosale si Orllati. Vëllezërit Orllati janë shembujt më të mirë të integrimit dhe suksesit afarist.”
Projektet madhore
Avni Orllati, i lindur në vitin 1974, shpjegon se grupi është i pranishëm në pjesën më të madhe të Zvicrës frankofone, duke përfituar nga koniunktura e favorshme ekonomike.
Projekti që mbetet “diamanti i kurorës” për kompaninë është transformimi i stacionit të trenit dhe i Urës së Kuqe në Grand Lancy (Gjenevë), pjesë e projektit gjigant CEVA. Ky projekt, i cili kap shifrën e rreth 20 miliardë frangave zvicerane, u realizua nga “Groupe Orllati” në konsorcium me dy ndërmarrje të tjera zvicerane, duke vulosur pozicionin e tyre si lider në treg.