You dont have javascript enabled! Please enable it! Njihuni me Doktorin Shqiptar që vepron në Vjenë të Austrisë

Njihuni me Doktorin Shqiptar që vepron në Vjenë të Austrisë

Që prej prillit të vitit 2022, Dr. Korab Krasniqi ushtron profesionin e mjekut në ordinancën e tij private, të vendosur në lagjen e dhjetë të Vjenës, në adresën Humboldtgasse 31, 1100 Wien. Pacientët aty mund të marrin shërbime të mjekësisë familjare në gjuhën shqipe, gjermane dhe të tjera.

Vendimi për të ndjekur rrugën e mjekësisë lindi gjatë kohës së luftës në Kosovë. Përjetimet e rënda në bjeshkë, ku u përball me pamje të dhimbshme të vuajtjes njerëzore, e shtynë të bëjë betimin e Hipokratit dhe ta shndërrojë ndihmën ndaj të tjerëve në misionin e jetës së tij. Të jesh mjek i mirë nuk do të thotë vetëm të kesh dije, por të ndjesh dhe të kuptosh dhimbjen e tjetrit.

Dr. Korabi, djali i Mehremes dhe Arif Krasniqit, ka lindur dhe është rritur në komunën e Klinës, në një familje të madhe me dhjetë fëmijë. Në fundin e viteve ’90, gjatë kulmit të konfliktit, familja e tij u dëbua nga shtëpia nga forcat serbe, duke përjetuar në lëkurë çfarë do të thotë dhimbje fizike dhe shpirtërore.

Studimet për mjekësi i nisi në Universitetin e Prishtinës, ku qëndroi për rreth dy vite.

Në vitin 2005, vendosi të emigrojë drejt Vjenës për t’iu përkushtuar pasionit të tij. Fillimi nuk ishte aspak i lehtë – i ri në moshë dhe me pak mbështetje – por falë vendosmërisë dhe ëndrrës për të ndihmuar të tjerët, arriti të përfundonte kursin e gjuhës gjermane për vetëm katër muaj e gjysmë, duke mësuar edhe vetë. Nga viti 2006 deri në 2012, përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Vjenë.

Pas diplomimit, përballë sfidave administrative për qëndrimin në Austri, ai nisi specializimin si mjek asistent në fushat e mjekësisë interne dhe reumatologjisë në ordinancën “Dr. Schwingenschlögl Thomas”, ku fitoi njohuri të thelluara. Më pas, për tetë vite me radhë, punoi si mjek urgjence dhe i mjekësisë së përgjithshme në spitalin “Donauspital”, një nga më të mëdhenjtë në Vjenë. Kjo përvojë e pasur i dha Dr. Korabit aftësitë, ndjeshmërinë dhe ekspertizën që e karakterizojnë një profesionist të përkushtuar.