You dont have javascript enabled! Please enable it! Nga Vendlindja sot në Kanada: Historia e suksesit të Shqiptarit dhe zgjerimi i European Bakery & Deli

Nga Vendlindja sot në Kanada: Historia e suksesit të Shqiptarit dhe zgjerimi i European Bakery & Deli

Nga Hasi në Calgary: Historia e suksesit të Shaqir Duarajt dhe zgjerimi i European Bakery & Deli🇦🇱🇽🇰🇨🇦

Nga tradita e vjetër e bukëpjekjes shqiptare deri te një nga furrat më të njohura ballkanike në Calgary, rrugëtimi i Shaqir Duaraj është histori përkushtimi, sakrifice dhe pune të pandalshme.
Tradita e familjes Duaraj në përgatitjen e bukës dhe burekut fillon qysh në vitin 1965 në Prishtinë, kur Hasan Duaraj u bë i njohur si një nga mjeshtrit e parë të burekut në Kosovë. Këtë zanat ai ua trashëgoi djemve të tij, ndërsa Shaqiri e vazhdoi këtë trashëgimi në Kanada, duke sjellë shijet autentike shqiptare dhe ballkanike për komunitetin në Calgary.

Në vitin 2006, Shaqiri dhe bashkëshortja e tij Lume themeluan European Bakery & Deli në Calgary, Alberta, një biznes familjar që nisi me shumë mund dhe sakrificë. Me kalimin e viteve, furra u kthye në një pikë të dashur për komunitetin shqiptar, ballkanik dhe vendasit kanadezë, të cilët shijojnë bukët artizanale, burekun tradicional, ëmbëlsirat dhe ushqimet autentike evropiane.
Një moment i veçantë në jetën e familjes Duaraj ishte edhe ndihma për refugjatët kosovarë në vitin 1999 në New Brunswick të Kanadasë, ku Shaqiri dhe Lume përgatitën ushqim për mbi 1,200 refugjatë shqiptarë të Kosovës brenda një dite.

Sot, pas shumë vitesh pune dhe mbështetjeje nga komuniteti, familja Duaraj ka hapur zgjerimin e shumëpritur të biznesit të tyre. Hapësira e re e European Bakery & Deli nuk përfaqëson vetëm një lokal më të madh, por një kapitull të ri për biznesin familjar që është ndërtuar mbi dashurinë, traditën dhe lidhjen me njerëzit.
Në mesazhin e tyre falënderues, familja Duaraj shprehet krenare për këtë arritje dhe falënderon çdo klient që ka ndaluar për një kafe, çdo familje që ua ka besuar festat dhe çdo mik që i ka mbështetur ndër vite. Ata premtojnë se do të vazhdojnë të ruajnë traditat shqiptare dhe ballkanike, duke krijuar kujtime të reja për komunitetin në rritje në Calgary.
Sot, emri i Shaqir Duaraj është bërë simbol i suksesit shqiptar në mërgatë, ndërsa European Bakery & Deli vazhdon të zgjerohet dhe të sjellë aromën e bukës tradicionale shqiptare larg atdheut