Në moshën 82 vjeçare, pas shqetësimeve shëndetësore është ndarë nga jeta sot, mjeku i njohur internist nga Peja, Dr. Skender Shala.
Për rreth katër dekada në shërbim të pacientëve dhe kolegëve të tij, pa bërë asnjëherë kompromis me profesionizmin, Dr. Skender Shala, ishte prej mjekëve të parë shqiptarë, që u shkolluan dhe pacientëve iu drejtuan në gjuhën amëtare.
Si specialist universitar i Zagrebit, Dr. Skender Shala, kishte refuzuar ofeertat e kohës për të qëndruar dhe shërbyer në Kroaci, vetëm e vetëm që të vihej në dispozicion të pacientëve shqiptarë, në kohëra të renda për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi.
Një kombëtar i madh, një fetar i madh, që urrente ekstremizmin, qoftë nga lindja, qoftë nga perëndimi, – ky ishte Dr. Skender Shala.
‘Në kohën kur kemi vepruar, ka qenë punë e madhe por mundësi shumë e vogël, për me e vesh mantelin e bardhë duke qenë shqiptarë. Nuk kam qenë vetëm, ishim disa, kemi pasur probleme të tendencave të shtypjes nga mjekët serb, por edhe ne si kemi dhënë as pesë pare, për atë punë. Ne e kemi pasur mision, me i pritë, me i trajtu e me i përcjellë pacientët duke folur shqip në atë Spital. Sot mendoj, se me pak, kemi bërë shumë. Teknika e kohës ka qenë e kufizuar e mos të them edhe arritjet shkencore, nëse po i krahasojmë me ditët e sotme. Ne kemi diagnostifiku me një RTG. Aq, ishin mundësinë në Spitalet tona. E sot, sot duhet me ja lëshur rrugën këtij brezi, sot çka nuk ka.’-do thoshte Dr. Skender Shala, në një intervistë të vitit 2018, si mjek në pension.
Dr. Skender Shala, njihet poashtu prej të parëve që kishin hedhur hapin e parë në kalimin e shërbimeve ambulantore-spitalore në sistemin privat-paralel, gjatë viteve të okupimit serb, duke organizuar shëndetësinë në shtëpinë e tij, në lagjen ‘Jarina’.
Krahas rrugës së shkencës, i ndjeri, ishte edhe fetar i madh.
‘Nuk them jam fetar i madh, por i rregullt. ‘qeshet’. Tani, krejt mejkësinë e ilaçin e gjejmë tek feja por edhe fenë e takojmë tek shëndeti. Mjekët, vetëm mejkojmë, Krijuesi shëron e bënë mrekulli.’-do shtone Dr. Shala në të njejtën bisedë të 2018-tës.
‘Bota ka ecur e do të ecën, medikamente ka mjaft e edhe do dalin e zbulohen, por nuk ka e as nuk do të ketë medikament për shpirtin. Me e zgjatë shpirtin… jo, sepse ai është në dorë të Krijuesit.’-do shtonte doktori.
I ndjeri, do të përcjellet sot në banesën e fundit, ndërsa ceremonia mortore do zhvillohet në ora 15:00 në varrezat e qytetit të tij të lindjes në Pejë..
Me këtë rast, ‘RADIO 1’ dhe Portali ‘Njeshi’ shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët, pacientët dhe tërë komunitetin./RADIO 1& Njeshi’
