Në këtë qytet të Gjermanisë, 42-vjeçarja Shqiptare hapi furrën e saj
Imrane Baftiu, 42-vjeçare me prejardhje nga Kosova, ka hapur biznesin e saj në Ravensburg të Gjermanisë, ku përmes një furre po sjell gatime të njohura nga Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit.
Baftiu, nënë e dy fëmijëve, e hapi “Balkan Bakery” në fund të korrikut. Në furrën e saj ofrohen burek me djathë e spinaq, bukë, krempita dhe produkte të tjera, ndërsa në ofertë ka përfshirë edhe produkte të zakonshme gjermane, si pretzel dhe produkte integrale.
Për 42-vjeçaren, biznesi lidhet edhe me prejardhjen e saj. Ajo thotë se Kosovën e lidh veçanërisht me ngrohtësinë dhe mikpritjen dhe se këtë frymë ka dashur ta bartë edhe në lokalin e saj në Ravensburg.
“Qëllimi im ishte të krijoja një vend ku njerëzit të ndihen rehat”, ka thënë Baftiu, duke treguar se kështu e njeh ajo mikpritjen nga vendlindja.
Furra nuk është konceptuar vetëm për komunitetin shqiptar. Baftiu ka zgjedhur të bashkojë produkte nga vende të ndryshme të Ballkanit me ato që janë pjesë e përditshmërisë së klientëve gjermanë. “Në mënyrë që të gjithë të gjejnë diçka këtu”, shpjegon ajo.
Sipas raportimit të agjencisë gjermane dpa, biznesi është pritur mirë që nga hapja. Historia e Baftiut vjen në një kohë kur edhe Shoqata e Furrtarëve të Baden-Württembergut po evidenton shtim të furrave me produkte ballkanike në Gjermani, megjithëse nuk ka të dhëna të veçanta statistikore për numrin e tyre.
Për familjen Baftiu, ndërkaq, historia ka një dimension tjetër. Prindërit e Imranes kishin ardhur nga Kosova në Gjermani si punëtorë, ndërsa brezi pas tyre po ndërton biznesin e vet atje. Në Ravensburg, ajo tashmë po e zhvillon këtë rrugëtim përmes furrës së saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me prejardhjen dhe shijet me të cilat është rritur. /Urgjent.com/